Bota Një vend, dy presidentë

Një vend, dy presidentë

The Economist

Për vite të tëra, regjimi socialist në Venezuelë dukej sikur ishte në prag të kolapsit. Kaq shumë e ka keqmenaxhuar ekonominë sa PBB e vendit ka rënë me thuajse gjysmën që prej vitit 2013. Inflacioni vitin e shkuar mendohet se ishte më shumë se 1 milion për qind. Kjo, plus mungesën e ushqimeve, ilaçeve, ujit të rrjedhshëm dhe energjisë, ka bërë që rreth 3 milionë venezuelianë, një e dhjeta e popullsisë, të arratisen nga vendi. Megjithatë, presidenti i vendit, Nicolas Maduro është ngjitur pas pushtetit, duke shpërfillur Kushtetutën, duke shtypur opozitën dhe duke përdorur të ardhurat e pakësuara të vendit nga nafta- pothuajse eksporti i saj i vetëm- për të paguar forcat e armatosura që e mbështesin. Më 10 janar, sundimtari më i paaftë i Amerikës Latine u betua për një mandat të dytë gjashtëvjeçar.

Megjithatë, inaugurimi i dytë i zotit Maduro shënoi edhe momentin kur presidenca e tij katastrofike humbi legjitimitetin formal. Zgjedhjet që fitoi në maj ishin të mbushura me mashtrime. Pothuajse të gjithë anëtarët e Grupit të Limës, 14 vende kryesisht të Amerikës Latine që shqetësohen për Venezuelën, deklaruan se nuk do e njohin atë si president. Më e rëndësishmja, opozita fitoi një udhëheqës të ri, unifikues, Juan Guaido, i cili u betua më 5 janar si president i Asamblesë Kombëtare. Kjo e fundit atë në krye të institucionit të fundit të zgjedhur në mënyrë demokratike në Venezuelë.

Papritmas kundërshtarët e demoralizuar dhe të ndarë të zotit Maduro janë hedhur në aksion. Dhjetëra mijëra njerëz në të gjithë vendin demonstruan kundër regjimit më 23 janar, në 61-vjetorin e përmbysjes së diktaturës së mëparshme të Venezuelës. Midis tyre ishin shumë venezuelianë të varfër. Për ta nuk ishte e lehtë që të ktheheshin kundër një regjimi të themeluar në vitin 1990 nga heroi i tyre, i ndjeri Hugo Chavez. Para një turme të gëzuar në kryeqytetin Karakas, Guaido e shpalli veten president në detyrë, një rol që Kushtetuta ia jep atij kur presidenca është vakante. Në atë që dukej si një veprimi i koordinuar, presidenti Donald Trump e njohu menjëherë zotin Guaido si udhëheqësin e përkohshëm të Venezuelës dhe shumica e vendeve të Grupit të Limës e pasuan. Kjo ngre dy pyetje. Sa e mundur është që zoti Maduro të mbahet në pushtet? Dhe çfarë mund të bëjë bota për largimin e tij?

Zoti Maduro është përballur me protesta të mëdha edhe më parë, më së fundmi në vitin 2017 kur më shumë se 100 njerëz u vranë, kryesisht nga forcat besnike ndaj regjimit. Edhe pse dy duzinë anëtarë të rojës kombëtare në Karakas u rebeluan këtë muaj, ajo u shua shumë shpejt. Nuk ka asnjë shenjë se komandantët kryesorë të ushtrisë do e transferojnë besnikërinë e tyre tek zoti Guaido. Është besnikëria e tyre që e mban në pushtet zotin Maduro, jo besnikëria e qytetarëve. Sidoqoftë duket se rruga po mbaron për zotin Maduro. Për herë të parë që kur fitoi zgjedhjet presidenciale në vitin 2013, ai përballet me një lider të vetëm opozitar, që komandon një mbështetje të gjerë. Guaido duhet të vazhdojë të bëjë të qartë se, nëse ushtron pushtetin, veprimi i parë duhet të jetë organizimi i zgjedhjeve të lira. Udhëheqësit e Venezuelës në pritje duhet të ofrojnë kalimin e sigurt të zotit Maduro dhe miqve të tij në një strehë të rehatshme, ndoshta në Kubë, dhe një të ardhme politike për anëtarët e regjimit, që respektojnë rregullat e demokracisë.

Shumë gjëra duhen bërë siç duhet për të siguruar rënien e zotit Maduro. Amerika dhe Bashkimi Europian duhet të përdorin çdo mjet që kanë në dispozicion për të promovuar ndryshimet paqësore, duke nxitur qeverinë paralele të zotit Guaido. Kjo mund të përfshijë edhe vendosjen e disa prej parave të paguara për eksportin e naftës në një llogari të rezervuar për asamblenë Kombëtare dhe duke përdorur kërcënimin për sanksione të mëtejshme që të inkurajohen dezertorët në regjim. Mbështetja e Grupit të Limës do të hedhë poshtë talljet e zotit Maduro se Guaido është vetëm një lolo në duart e SHBA. Nëse regjimi i tij i urryer do të shembet përfundimisht, Venezuela do të ketë nevojë për një mbështetje masive ndërkombëtare në formën e ndihmës humanitare, kredive dhe ndihmës ekonomike e politike. Deri këtë javë, largimi i zotit Maduro ka qenë i vonuar dhe një perspektivë afatmesme. Sot, një vend i demoralizuar dhe i keqqeverisur mund të jetë në prag të diçkaje më të mirë.