Aktualitet Një vit nga rasti i parë me Covid në Shqipëri, Manastirliu: Drita...

Një vit nga rasti i parë me Covid në Shqipëri, Manastirliu: Drita në fund të tunelit sa vjen e qartësohet

Si sot një vit më parë u konfirmuan dy rastet e para me Covid-19 në Shqipëri. Kur ka kaluar një vit nga nisja e pandemisë, shifrat e infektimeve dhe të viktimave vetëm rriten.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, një vit pas pandemisë shkruan se stafet mjekësore kurrë nuk janë dorëzuar dhe pse gjithçka ka qenë sfiduese.

“Si sot një vit më parë, nisi beteja në vijën e parë të frontit e stafeve tona mjekësore në përballje me COVID19, në shërbim të jetës. Me gjithë vështirësitë, kurrë nuk u dorëzuan në këtë vit sfidues të pandemisë, që njerëzimi e ndesh një herë në shekull”, shprehet ministrja.

Më tej ministrja u bën thirrje të gjithëve që të ndihmojnë në uljen e rasteve me Covid dhe “ta çojmë deri në fund luftën me armikun e padukshëm”. Ajo shton se “drita në fund të tunelit sa vjen e qartësohet, me intensifikimin e vaksinimit antiCOVID”.

Dy rastet e para me Covid në Shqipëri ishin babë e bir të cilit kishin ardhur nga Italia. Ata u bënë dhe dy pacientët e parë të shtruar në Spitalin Infektiv.