Kuriozitete Njerëzit rrjedhin nga një grua që ka jetuar në Botsvana 200 mijë...

Njerëzit rrjedhin nga një grua që ka jetuar në Botsvana 200 mijë vite më parë?

Mbi prejardhjen e të gjithë njerëzve nga Afrika shkencëtarët kanë pak dyshime. Por, ajo që i ka ndarë për vite me radhë është vendndodhja e saktë se ku jetoi homo sapiensi i parë. Tani, një grup studiuesish mendojnë se e kanë zgjidhur këtë enigmë.

Revista “Nature” publikoi përfundimet e një studimi disavjeçar të një grupi shkencëtarësh të udhëhequr nga antropologia, Vanessa Hayes. Sipas rezultatit të këtij studimi të gjithë njerëzit e sotëm rrjedhin nga një grua që ka jetuar rreth 200 mijë vite më parë në Botsvanën e sotme.

Vanessa Hayes

Në këtë përfundim është arritur pas analizimit në detaje të ADN-së së 1200 persona nga shtete të ndryshme të Afrikës Nënsahariane. Duke ndjekur linjën e ADN-së studiuesit ofrojnë një përgjigje të kokëfortë mbi vendin nga ku më pas u përhap njerëzimi.

“Të gjithë ne që ecim sot në tokë, mund të gjejmë gjurmët e ADN-së mitokondriale të tyre në këtë vend”, deklaroi në një konferencë për shtyp, antropologia Venssa Hayes.

Botsvana ndodhet në jug të Afrikës

Për të zbuluar origjinën gjeografike të paraardhësve tanë, Hayes dhe kolegët e saj studiuan ADN-në mitokondriale (mtADN) nga njerëz që jetojnë në jug të Afrikës. Mes grupeve të popullsisë që u përfshinë në këtë studim ishte edhe populli Khoisan, që rezultoi me mtADN më të përafërt me të gjitha studimet e ADN-ve në mbarë botën.

ADN mitokondriale trashëgohet nga nëna dhe përdoret për të zbuluar paraardhësit për faktin se nuk është e përzier me ADN-në e meshkujve. Kjo do të thotë se ndryshon pak, ose aspak me kalimin e kohës dhe lë gjurmë thuajse të pagabueshme mbi paraardhësit.

Njerëzit modernë që të gjithë trashëgojnë gene të makro-haplogrupit L Këto gene vetë ndahen në dy nëngrupe, L1-6 dhe L0. Kjo e dyta gjendet tek njerëzit në Afrikë dhe pikërisht këtë analizoi Hayes dhe ekipi i drejtuar prej saj.

“Ky ishte analizimi dhe studimi më i madh i këtij lloji deri më tani”, deklaroi Eva Chan, bashkëautore në studimin në fjalë.

Duke ndjekur gjurmët e zinxhirit të ADN-së, shkencëtarët dolën në përfundim se çdo njeri i gjallë sot e ka prejardhjen nga një grua që jetoi 200 mijë vite më parë në Botsvana. Rajoni quhet Makgadikgi-Okavango, pranë grykëderdhjes së lumit Okavango. Sipas studiuesve, 200 mijë vite më parë, rajoni ishte shtëpi e një liqeni të madh dhe e pyjeve të dendura.

Studimi në fjalë ka dalë në përfundimin tjetër se në këtë rajon, njeriu ka jetuar për rreth 70 mijë vite dhe më vonë për shkak të ndryshimeve klimaterike nisën valët migruese. Vala e parë e migrimit besohet se ka ndodhur në drejtim të veri-lindjes rreth 130 mijë vite më parë, ndërsa vala e dytë në vitet 110 mijë vite më vonë në drejtim të jug-perëndimit.

Sipas Hayes migrimi mund të jetë shkaktuar nga zhvendosja e kafshëve, që e ndjenin të parat ndryshimin klimaterik.

Jo i gjithë komuniteti i shkencëtarëve ka pritur me entuziazëm përfundimet e këtij studimi. Një pjesë e tyre shprehen mosbesues, nisur nga fakti që një skelet njeriu të datuar 195 mijë vite më parë është zbuluar në Etiopi, duke çuar antropologët që të mendojnë se njerëzimi i ka rrënjët nga Afrika Lindore.

Studimi në fjalë hedh poshtë edhe teorinë që sugjeron se njerëzimi lulëzoi në disa zona të Tokës njëkohësisht dhe propozon se të gjithë e kemi stër, stër, stër, stër…gjyshen nga Botsvana. Edhe këtu kanë kundërshtarë.

“Më bëhen lëmsh mendimet kur thonë se në këtë studim dhe këto të dhëna tregojnë që njeriu modern ka origjinën nga Afrika Jugore. Por, të dhënat nuk e provojnë këtë. Unë besoj fort që me gjasë nuk ka qenë vetëm një popullsi nga ku evoluoi njeriu modern”, deklaroi për Bussines Insider antropologu, Ryan Raaum.