Aktualitet “Njëri ishte me të zeza, tjetri e gjurmonte me vrap”, flet vajza...

“Njëri ishte me të zeza, tjetri e gjurmonte me vrap”, flet vajza që u plagos tek “Xhamlliku”

Qytetarja që mbeti e plagosur ditën e djeshme në Tiranë, ku mbeti i plagosur gjithashtu edhe Orgest Bilbili nga efektivi i forcave “Shqiponja” në një intervistë për News 24 ka treguar momentin kur është plagosur.

Gruaja me inicialet M.P., ka treguar se ishte duke kaluar rastësisht ne këmbë në vendin ku ndodhi ngjarja, pasi kishte dalë për të bërë pazar dhe sapo ka dëgjuar të shtëna në ajër ka tentuar të fshihet, por në atë moment është penguar me një zotëri dhe është qëlluar.

Çfarë po bënit kur ndodhi ngjarja?

Kisha dalë nga shtëpia, se kisha orarin për të bërë pazarin, për të blerë ushqimet e shtëpisë, se kam dy pleq në shtëpi. Isha duke mbajtur radhën, se kishte radhë market. Në momentet kur po prisja jashtë, nga cepi i marketit, te një rrugicë, u dëgjua një si kapsollë dhe s’i vura veshin, se nuk ma mori mendja të ndodhte diçka e tillë në mes të ditës. Në momentin që pashë se dolën nga rrugica dy vetë, njëri me të zeza, tjetri nga pas që gjurmonte me vrap, u vura në siklet dhe u mundova të futesha te dyqani, por nuk futesha dot, se kishte shumë njerëz. E dija se aty isha më afër dhe do më kapte më keq. Mu ngjitur me marketin është një mur i vogël dhe thashë të fshihem aty, se mbase s’më kap. Në ato momente, djalit i bie pistoleta në tokë, unë ktheva kurrizin dhe u pengova me një zotëri, kur më qëlloi, por nuk e pashë kush më qëlloi.

Sa plumba keni marrë?

Një e kam te këmba, që ka dhe gjakderdhje, te këmba mbrapa kofshës, një edhe pas krahut, që thonë është qorr, ka kaluar shkarazi. Ndërsa në këmbë më thonë që vijon të jetë plumbi. Unë kam shumë dhimbje, jam e shqetësuar. Mjekët thonë se nëse plumbi ikën nga aty, ka burim infeksioni. Se në momentin që është futur plumbi, ka djegur gjithçka, mishin, se isha afër.

Keni pasur ndonjë ndërhyrje?

Jo. Më thanë që nuk duhet të bëj operacion. Infermieri që ka ardhur tani më tha që do shohim nesër, do bëjnë ekzaminime të tjera.

Sa i përket ngjarjes, humbët ndjenjat?

Jo, nuk i humba ndjenjat për asnjë sekondë. As vetë se di si mu gjet mendja që dhashë edhe numrin e telefonit që të lajmëronin të shtëpisë sime, dhe erdhi menjëherë mamaja, se babanë e kam pa qejf.

Kush iu çoi në spital?

Më duket policët, njëri i jepte shumë shpejt makinës, se unë kisha shumë dhimbje.

Keni pas probleme me shëndetin?

Dhimbjet e këmbës pa fund, gjë tjetër jo. Krahu jo shumë.

Kur do iu fusin në operacion?

Nuk e di, mos t’i akuzoj kot mjekët, nuk kanë thënë gjë. Unë pashë edhe vetë diçka, kur po më bënin grafi, besoj se plumbi nuk do të ketë kapur kockën, do jetë te tuli. Kam shumë dhimbje, nuk rri dot.

Kush është me juve?

Mamaja. Babin e kam lënë në shtëpi se s’dua të mërzitet, pasi është sëmurë. Babi e ka marrë vesh, por nuk i kam thënë në çfarë gjendjeje jam.

Në momentin që u plagosët, dëgjuat disa të shtëna?

Dëgjova një herë në ajër dhe menjëherë u përpoqa të fshihesha, pastaj nuk mbaj mend.

Ky personi me të zeza ua drejtoi armën?

Isha me kurriz, për t’u fshehur për veten time në ato momente, se ma mori mendja që diçka do ndodhte. Ktheva kurrizin për t’u fshehur, por u pengova me atë personin.

Sa i përket plumbit që keni ende në këmbë, nuk është bërë ende një ndërhyrje, çfarë iu kanë thënë mjekët lidhur me dëmtimin që keni?

Duhet të shohin ecurinë, si do shkojë. Nuk duhet ta heqin, sepse nëse e heqin, është burim infeksioni, më thanë, dhe mund të ketë përkeqësim. Nesër do vijnë të shohin si do jetë situata, ose do bëjnë analiza të tjera, nuk e di.