Sport Njeriu i 32 titujve: Jam një luan…

Njeriu i 32 titujve: Jam një luan…

Me dy golat e shënuar kundër Southampton, Zlatan Ibrahimovic u bë të dielën ylli i madh i fitores së Manchester United ndaj “shenjtorëve” (3-2) në finalen e Kupës së Ligës.

Ky ishte titulli i dytë, që sulmuesi suedez ngre në duar me ekipin e tij aktual. Në gusht, në ndeshjen e tij të parë zyrtare me Manchester United, Ibrahimovic fitoi “Community Shield” ndaj Leicester (2-1) dhe u bë golashënuesi vendimtar në minutën e 83-të.

Nënshkrimi i tij si lojtar i lirë nga ana e “djajve të kuq”, verën e kaluar, është konsideruar si një nga sukseset më të mëdha në historinë e klubit të Mançesterit. “Unë jam një kafshë. Unë jam një luan, – tha ai menjëherë pasi shtoi titullin 32-të të karrierës së tij, duke kujtuar se futbolli është 100 për qind konkurrues. – Njerëzit thonë se jam një djalë i vështirë, me një personalitet të veçantë. Por unë gjithmonë fitoj, kudo që të shkoj”.

Kampion në pesë vende

I formuar në Malmo, klubi ku ai luajti në mes të viteve 1999 dhe 2001, përpara se të bashkohet me Ajax, Ibrahimovic ka qenë një garanci për sukses në të gjitha ekipet, ku ka luajtur. Me përjashtim të Ligës së Kampionëve, nuk ka titull që s’e ka fituar në nivel klubi. Në “palmaresin” e tij janë tashmë 32 tituj të fituar me 7 klube, në 5 vende, me veçantinë se ka fituar 13 nga 14 tituj kampioni që nga bashkimime  Ajax, në verën e vitit 2001. Ibrahimovic ndoshta nuk do ta fitojë titullin këtë sezon në Premier League, por paraqitja e tij mbetet më e larta se kurrë më parë. Me Manchester United, ai ka shënuar 26 gola në 38 ndeshje. Edhe pse ka një kontratë deri në qershor të vitit 2018, mjedisi i “djajve të kuq” po mallëngjehet për rinovimin.

E ardhme e pasigurtë

Në moshën 35 vjeçare, Ibrahimovic nuk do të nxitojë dhe të japë një përgjigje për sugjerimin që ka bërë trajneri i tij, Jose Mourinho. Portugezi u ka kërkuar tifozëve të bëjnë një “kamp” për të kërkuar rinovimin e suedezit. “Unë jam duke luajtur mirë. Ndihem mirë, ndihem i ri. Njerëzit, të cilët më njohin, e dinë se nuk dorëzohem. Ne do të presim dhe të shohim se çfarë do të ndodhë”.