Bota Njeriu që parandaloi luftën bërthamore

Njeriu që parandaloi luftën bërthamore

Arthur Schlesinger Jr., historian dhe këshilltar i ish-presidentit amerikan, John F. Kennedy ka thënë se ”ky nuk ishte momenti më i rrezikshëm i Luftës së Ftohtë, por momenti më i rrezikshëm i historisë së njerëzimit”.

Në vitin 2002, Thomas Blanton, ish-drejtor i Arkivës së Sigurisë Kombëtare amerikane tha se ”Arhipov shpëtoi botën”

Gjatë Krizës së Raketave në Kubë, 58 vjet më parë, bota po përballej me luftën bërthamore. Si reagim ndaj bombardimeve të Marinës amerikane, dy nga tre oficerët në komandë të nëndetëses bërthamore sovjetike “B-59” menduan të lëshonin një torpedo bërthamore. Por, vetëm gjenerali Vasili Arhipov hezitoi, para se të merrte vendimin ndoshta më të vështirë dhe më të rëndësishëm të jetës së tij. Ai refuzoi të shtypte “butonin e kuq”, duke parandaluar kështu një reagim të zinxhirit bërthamor.

Sven Lilienstrom, themeluesi i nismës ”Faces of Peace”, që në përbërje të saj ka figura nga më të shquarat të politikës së sotme ndërkombëtare, foli me vajzën e Arhipovit për të kujtuar ngjarjen e ndodhur 58 vite më parë.

Zonja Andrjukova, gjatë Krizës së Raketave në Kubë babai juaj, Vasili Arhipov, parandaloi një luftë bërthamore. Çfarë mund të na thoni për ngjarjet e vjeshtës së vitit 1962, në lidhje me nëndetësen bërthamore”B-59″?

Ju falënderoj shumë që nuk i harroni ngjarjet me babain tim. Babai im, Vasili Arhipov ishte shef i Shtabit të Brigadës së Nëndetëses 69, kur në tetor 1962, u thërrit nga Komanda e Lartë e Marinës për të ndërmarrë një mision sekret të sigurisë së lartë. Askush nuk e dinte se për çfarë thërritur, madje as nëna ime. Një mbrëmje ajo po përgatiste darkën, ndërsa priste babanë tim, kur ra zilja e derës. Një ushtar qëndronte aty me xhaketën e lëkurës së babait tim, një xhaketë lëkure e ngrohtë, me gëzof. Ishte vjeshtë, por ftohtë. Megjithatë, nëna ime pyeti se pse ia kishin sjellë xhaketën e tij. Por, ushtari nuk tha asgjë, vetëm shtoi se Vasili Arhipov nuk do të kthehej atë ditë në shtëpi. Gjithçka që tha ishte se “ai do të shkojë në det”. Duhet ta kuptoni se çdo gjë ishte shumë e fshehtë. Nëna ime nuk kishte idenë as se ku do të dërgohej babai im dhe as për urdhrat që i ishin dhënë. Në atë kohë, unë isha ende e vogël dhe praktikisht nuk e pashë kurrë babain tim. Kur ishte në shtëpi kthej shumë vonë dhe mëngjesin tjetër largohej shumë herët për në punë.

“U-59” u sulmua. Askush në bord nuk dyshoi se po përdoreshin armë jovdekjeprurëse kundër nëndetëseve. Ata kishin frikë. Ishte babai juaj në dijeni për pasojat e vendimit që mori në atë moment?

Kur babai im u thërrit në 1962, ishte një njeri me karakter të fortë. Më parë kishte kaluar kohë shumë të vështira. Për shembull, mendoni për aksidentin e rrezatimit brenda nëndetëses “K-19″. Ajo çfarë babai im bëri në moshën 19-vjeçare, (kur ishte pjesë e kësaj nëndetëseje) ishte që parandaloi një katastrofë ekologjike me përmasa të paimagjinueshme. Ose kujtoni luftën kundër Japonisë në vitin 1945. Mund të kishte humbur jetën. Prandaj, pa dyshim mund të them se sigurisht që babai im ishte në dijeni të pasojave të vendimit që mori. Tashmë ai kishte kaluar shumicën e momenteve formuese në zhvillimin e tij personal. E dinte se çfarë bënte. Vendimi i babait tim për të shpëtuar jetën e ushtarëve dhe për të siguruar paqen në botë është një shenjë e forcës së tij, jo e dobësisë!

Në vitet 1960 nuk ekzistonte as interneti dhe as celularët. Kur ishte hera e parë që nëna juaj dëgjoi për ngjarjet e 27 tetorit 1962 dhe cili ishte reagimi i saj?

Babai im nuk fliste kurrë se çfarë ndodhte gjatë ekspeditave ushtarake. Operacioni ishte shumë sekret dhe zgjati rreth dy muaj. Ai u nis më 1 tetor 1962 dhe u kthye në fillim të dhjetorit 1926. Babai i tregoi nënës se ku kishte qenë vetëm pasi u kthye, por pa detaje. Megjithatë, ishte e ndaluar të flisje për këtë temë. Për këtë arsye, në shtëpi nuk u tha asgjë më shumë lidhur me këtë ekspeditë. Nëna ime ishte thjesht e lumtur që ai ishte kthyer. Ajo e priste gjithmonë me shumë dashuri dhe e mbronte me dashurinë e saj. Ajo ishte engjëlli i tij mbrojtës.

Armët bërthamore në bordin e nëndetëses “B-59” ishin sekret i madh dhe kështu ishte gjithçka që ndodhte në bordin e saj. Babai juaj foli në publik për ngjarjet që ndodhën, pas 40 vitesh. Në çfarë mase e ndryshoi kjo jetën tuaj?

E drejtë, babai im foli për herë të parë në publik lidhur me ngjarjet që ndodhën në bordin e nëndetëses “B-59”, në 14 tetor 1997, në Institutin e Historisë Ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes së Federatës Ruse. Sot e kam ende atë ftesë. Ai u ftua të fliste në konferencën shkencore-praktike “Kriza e Raketave në Kubë 1962: Operacioni Strategjik Ushtarak Anadyr”. Gjatë konferencës, ai foli për vendosjet e nëndetëseve në lidhje me operacionin “Kama”. Për sa i përket nëse jeta ime ndryshoi që nga ajo kohë? Jo, në të vërtetë aspak.

Me vendimin e tij të guximshëm, Vasili Arhipov parandaloi një reagim bërthamor zinxhir duke shmangur në mënyrë efektive një luftë të tretë botërore. Për shumë persona babai juaj është hero, për disa të tjerë frikacak. Pse ekziston një mospërputhje e tillë?

Personave të cilët e konsideruan babain im frikacak, dua t’i them se nuk kanë kaluar atë çfarë kaloi ai. Kur ishte 19 vjeç, ai mori pjesë në luftën kundër Japonisë. Ishte viti 1945 dhe babai im ishte zëvendëskomandant i “Brigadës Ushtarake 1”. Kjo periudhë i bëri atij përshtypje të fortë dhe i dha një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e personalitetit të tij, formimit të karakterit dhe ndjenjën e përgjegjësisë ndaj jetës së personave të tjerë. Siç e përmenda në fillim, babai im ishte në gjendje të demonstronte me saktësi këto tipare karakteri në pozicionin e zëvendëskomandantit gjatë aksidentit në nëndetësen “K-19”. Në atë kohë humbën jetën tetë persona si rezultat i radioaktivitetit. Shumë të tjerë u sëmurën, përfshirë dhe babain tim. Ai shtrihej në spital, pasi i mbijetoi atyre ngjarjeve. Kjo i dha forcë!

Pas prishjes së traktatit INF, tani po përballemi me përfundimin e afërt të traktatit “Fillimi i Ri” 2021. Kjo do të thotë që rreziku i përdorimit të një arme bërthamore po rritet përsëri, 30 vite pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Ju shqetëson ky zhvillim?

Në fakt, jam shumë e shqetësuar, ashtu si dhe paqedashësit e tjerë. Lufta bërthamore është një kërcënim për gjithë njerëzimin. Shqetësohem kur shoh lajme për përshkallëzimin e garës së armatimeve. Përshkallëzimi i tensioneve dhe konflikteve ushtarake në të cilat njerëzit humbin jetën më shqetëson gjithashtu. Pra po, shqetësohem, praktikisht ashtu si të gjithë banorët e tjerë të planetit tonë.

Zonja Andriukova, pyetja jonë e fundit është gjithmonë personale. Cilat janë dëshirat tuaja për vitet e ardhshme dhe a ka diçka që dëshironi t’i thoni udhëheqësve më të fuqishëm në botë?

Për veten time dhe për popujt në mbarë botën uroj paqe, mirëkuptim dhe miqësi midis kombeve. Në këtë pike, do të doja të citoja shkrimtarin rus Ivan Turgenev, i cili thoshte: “Vetëm dashuria qëndron dhe prek jetët tona”. Liderëve më të fuqishëm të botës do të doja t’i thoja të ndalojnë garën e armëve bërthamore. Shumë para janë shpenzuar tashmë për armatime. Ato para duhet të përdoren për të përmirësuar jetën e njerëzve. Është një mrekulli e madhe që jeta ekziston në universin tonë, që jeta ekziston në tokë. Nuk duhet ta shkatërrojmë këtë jetë. Si pasojë, teknologjia bërthamore duhet të përdoret vetëm për qëllime paqësore, pra për qëllime që janë të dobishme për njerëzimin. Për të përfunduar do të doja të shtoja disa fjalë. Historia e shtetit rus tregon natyrën paqësore të popullit tonë. Rusia nuk ishte kurrë sulmuese dhe kurrë nuk do të jetë. Babai im ishte ndërgjegjja e atdheut tonë. Si i tillë, ai ndau të gjitha njohuritë dhe përvojën e tij me njerëzit, pavarësisht nga kombësia dhe origjina e tyre. Për paqen në botë!.