Sport Njeriu që zbuloi sekretet e futbollit: Nuk dal i gjallë nga burgu!

Njeriu që zbuloi sekretet e futbollit: Nuk dal i gjallë nga burgu!

“Nëse kthehem në Portugali dhe përfundoj në burg, nuk dal më i gjallë që aty”. Rui Pinto është 30 vjeç, me origjinë nga Vila Nova de Gaia dhe jeton në Budapest. Ai është figura, për shumë persona një haker, që i hapi rrugën publikimit të dokumenteve nga “Football Leaks” për mëkatet e futbollit botëror: dhunimit të “fair-play”-it financiar, evazionit fiskal – rastet më të njohura ato të Kristiano Ronaldos, Mourinjos dhe Mesit – deklaratave të rreme etj.

Rui Pinto është në shënjestër të autoriteteve portugeze prej kohësh. Më 16 janar 2019 u arrestua në Budapest, pas një urdhër arresti të lëshuar nga vendi i tij. Pas 24 orësh u dha masa e arrestit shtëpiak dhe ai qëndron në shtëpinë e tij në Budapest, me byzylykun elektronik në këmbën e majtë. Të martën e 5 marsit, një gjykatë në Budapest dha miratimin për ekstradimin e tij në Portugali. Avokati i tij, francezi Uilliam Burdon, i njohur si avokati i Eduard Snouden, informaticienit që zbuloi programet përgjimit të qeverisë amerikane dhe angleze, e ka apeluar çështjen. Brenda një jave Rui Pinto do të mësojë fatin e tij.

Po kush është ky 30-vjeçar, me pasionin për historinë, tifoz i Portos, që jeton në Budapest falë Erasmusit, i mbrojtur prej kohësh me pseudonimin “Xhon”? I intervistuar nga “Der Spiegel”, gazeta e njohur gjermane që bën pjesë në ato media që po administrojnë dokumentet e “Football Leaks”, Rui Pinto ka rrëfyer se babai i tij ka qenë një dizenjues këpucësh, kurse e ëma është zhdukur kur ai ishte 11 vjeç. Ka treguar gjithashtu se ka mësuar të shkruajë dhe lexojë falë futbollit që në moshën 4-vjeçare. Ka qenë një lojtar futsalle, lënda e tij e preferuar në shkollë ka qenë historia, ndërkohë që ka qenë dobët në matematikë, kimi dhe fizikë.

Portugezi, në shtator të 2015-ës, krijoi uebin “Football Leaks”, që ka informacione të rezervuara për futbollistët dhe klubet e futbollit. Zbulimet e para i takojnë rastit “Tuente”, ku publikohen raporte mes klubit holandez me kompaninë e investimeve braziliane “Doyen Sport”, me degën e saj në Maltë. Dokumentet tregojnë se si janë dhunuar rregullat e Federatës Holandeze. Tuente është skualifikuar në Europë për tre sezone, por çështja nuk është mbyllur me kaq. “Doyen” ka bërë me dije më pas se është shantazhuar dhe i janë kërkuar 500 mijë euro për të mos publikuar informacione konfidenciale për lojtarët e përfaqësuar nga kjo agjenci. Në janar të 2016-ës, policia portugeze hapi një hetim për “Football Leaks”, duke e akuzuar për shantazh dhe presion, por Pinto gjithmonë ka mohuar të ketë kërkuar para.

“Football Leaks” nuk u ndal dhe më pas zbuloi se shifra e vërtetë e blerjes së Radamel Falkaos nga Monako ishte 43 milionë euro dhe jo 60 milionë euro. Më pas u dhanë detaje për transferimet e Bejl nga Totenhemi te Reali, dhe të Hames Rodriguez nga Monako te Reali. Në dhjetor të 2016-ës, një agjenci ndërkombëtare mediesh “European Investigations Collaborations”, ku bëjnë pjesë “Der Spiegel”, “L’Espresso” dhe “El Mundo”, filloi të publikojë materiale, ku zbulohej evazioni fiskal nga personazhe të njohur të futbollit si Ronaldo, Mourinjo dhe Mesi. Një nga drejtuesit e “Football Leaks”, me emrin “Xhon”, i ka dorëzuar gjermanes “Der Spiegel” një mori të dhënash, rreth 18.6 milionë dokumente. Pasi ky material u përpunua për shtatë muaj, në dhjetor të 2016-ës u bë publikimi i tyre.

KUSH ËSHTË XHONI? — Në 2017-ën, Parlamenti Europian hapi një hetim ndërkombëtar, duke saktësuar se kishte suportin e “Football Leaks” në këtë hetim. Në vitin 2018, revista “Sábado in Portogallo” publikoi një histori ekskluzive, ku thuhej se policia lokale e kishte identifikuar të dyshuarin kryesor në rastin “Benfica” dhe se ai quhej Rui Pinto, i quajtur ndryshe edhe si “gjeniu i kompjuterit”. Më 2 nëntor 2018 shpërtheu një tjetër çështje, ajo e dhunimit të “fair-play”-it financiar nga Mançester Siti dhe PSG-ja, një histori ku përfshihej edhe presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino. Kjo çështje u konsiderua nga FIFA si “tentativë për të minuar drejtuesit e rinj”.

Në vitin 2019 është bërë arrestimi i Rui Pintos, ndërkohë që kishte një tjetër material komprometues për PSG-në dhe Mançester Sitin. Pastaj edhe miratimi i ekstradimit nga gjykata e Budapestit. Pinto, i cili nuk ka vepruar i vetëm dhe është zëdhënësi i një grupi operatorësh të sitit, ka theksuar gjithmonë se nuk ka fituar asnjë qindarkë nga “Football Leaks” dhe se nuk ka bërë kurrë shantazh. Përballë dokumenteve të “Football Leaks”, mbrojtja ka qenë: është një akt piraterie, nuk komentojmë aktet e një hakeri, por askush nuk ka mundur të vërtetojë, nëse bëhet fjalë një material fals apo të sajuar. Se si janë siguruar miliona dokumente, nuk është ende e qartë. “Football Leaks” ka mohuar të ketë përdorur instrumente hakerash, por ka pranuar se “ka dhunuar rregulla të ndryshme, pasi është mënyra e vetme për t’i treguar botës se si po e vrasin futbollin”. Rui Pinto e di shumë mirë situatën dhe me ekstradimin në Portugali ndoshta ka ardhur momenti për të hedhur dritë mbi gjithçka.