Kuriozitete Njihuni me dinozaurin 70 tonësh me një qafë më të gjatë se...

Njihuni me dinozaurin 70 tonësh me një qafë më të gjatë se një autobus

Një nga dinozaurët më të mëdhenj të zbuluar ndonjëherë ka jetuar 160 milionë vjet më parë në Kinë. Në këtë përfundim kanë dalë shkencëtarët pas bërjes së analizave të eshtrave të tij.

Paleontologët gjetën në vitin 1987 në Kinën veriperëndimore eshtra nga qafa e një dinozauri të species Mamenchisaurus sinocanadorum.

Analizat e bëra sërish së fundmi treguan se kafsha ka pasur një qafë deri në 15 metra të gjatë, dukshëm më e gjatë se gjatësia e një autobusi. Nga koka deri te bishti, dinozauri ishte pothuajse 50 metra i gjatë.

Ata ishin barngrënës dhe qafa i ndihmonte të kullosnin pa lëvizur shumë dhe duke mos harxhuar kështu energji.

Shkencëtarët, sipas The Guardian, kanë zgjidhur gjithashtu misterin se si trupat e dinozaurëve mbanin një qafë kaq të madhe dhe të rëndë.

Analiza tregoi se rruazat në qafë ishin pothuajse të zbrazëta, një metodë e reduktimit të peshës e përdorur nga zogjtë, pasardhës të largët të dinozaurëve.