Sport Njihuni me formacionin më të shtrenjtë në histori: Kushton 1.1 miliardë paund!

Njihuni me formacionin më të shtrenjtë në histori: Kushton 1.1 miliardë paund!

Lucas Hernandez është bashkuar me Virgil Van Dijk dhe Paul Pogba, ndër të tjerë, në formacionin më të shtrenjtë në botë, me vlerën e 1.1 miliardë paundëve. Kështu shkruan tabloidi i njohur anglez, “The Sun”, që ka bërë edhe përzgjedhjen dhe vendosjen sipas roleve të lojtarëve në këtë 11-she.

Bayern Munich theu një rekord të klubit, duke paguar 68 milionë paundë për mbrojtësin francez, i cili fitoi Kupën e Botës në Rusi, verën e kaluar. Bavarezët e zyrtarizuan këtë javë këtë transferim rekord për historinë e tyre. Hernandez, 23 vjeç, nisur nga shuma e paguar për të, bashkohet me lojtarë të tjerë si Neymar, Cristiano Ronaldo dhe Kylian Mbappe në ekipin e yjeve të “The Sun”.

”Ky mund të jetë formacioni më i shtrenjtë në të gjitha kohërat. Ky ekip përbëhet nga liderë dhe yje, që kanë shpërthyer merkaton e transferimeve në vitet e fundit”, – citon tabloidi.

Chelsea theu rekordin me blerjen e spanjollit Kepa, si zëvendësues i Thibaut Courtois në portë, verën e kaluar. Kjo blerje mposhti shifrat e paguara për Alisson, i cili në të njëjtën verë u bashkua me Liverpool. Janarin e vitit të kaluar, Van Dijk dhe Laporte u shpërngulën në klube të rinj për shkak të mega-parave të paguar për to.

Holandezi u bashkua me Liverpool, ndërsa Laporte u bë kampion i Premier League me Manchester City, që në sezonin e parë aty. Lucas Hernandez e kompleton prapavijën me tre lojtarë, pas zyrtarizimit të transferimit të verës në Gjermani.

Ai nuk ka shkëlqyer në “Camp Nou”, por zyrtarisht Coutinho është mesfushori më i shtrenjtë në planet. Kjo u regjistrua me transferimin e tij nga Liverpool te Barcelona. Pogba ishte dikur mesfushori më i kushtueshëm, sepse për të u paguan 89 milionë paundë nga Manchester United, për ta marrë nga Juventusi.

Marrëveshja e janarit të këtij vitit e De Jong për t’u bashkuar me Barcelonën në verë, e bën yllin e Ajax-it pjesë të kësaj 11-sheje, së bashku me James Rodriguez. Ky i fundit iu bashkua Real Madridit për 63 milionë paundë në vitin 2014.

Gjysma e parave të shpenzuara (1.1 miliardë paundë) për këtë top-formacion shkon për tre sulmuesit. Neymar i kushtoi PSG plot 198 milionë paundë, kur u largua nga Barcelona. Edhe kalimi i Mbappe te gjigantët francezë ishte një nga blerjet më të shtrenjta në historinë e futbollit. Ndërkohë, Ronaldo i kushtoi Juventusit 99 milionë paundë verën e kaluar, pasi u largua nga Real Madridi.

TË TJERËT

Sigurisht, ky numër lojtarësh mund të ishte më i madh, nëse do të mendonim edhe për stolin e rezervave, pa të cilin nuk luhet futbolli. Për shembull, Romelu Lukaku (75 milionë £), Ousmane Dembele (97 milionë £) dhe Gareth Bale (86 milionë £) do të ishin gati të zëvendësonin të tjerët në këtë formacion. Gonzalo Higuain dhe Luis Suarez (të dy me vlerën e 75 milionë £), gjithashtu, e humbasin 11-shen më të shtrenjtë.