Bota Njihuni me grabitjet më të mëdha të muzeve në botë

Njihuni me grabitjet më të mëdha të muzeve në botë

Persona të panjohur kanë plaçkitur një prej thesareve më të mëdhenj të qytetit të Dresdenit. Ata janë futur të hënën në Kështjellën rezidenciale dhe kanë vjedhur stoli, diamante dhe gurë me vlerë të jashtëzakonshme.

Autoritetet thonë se vlera e tyre është tepër e lartë, por ende nuk është saktësuar se për çfarë vlere është fjala. Mediat gjermane shkruajnë për dëme në vlerë prej miliarda euro.

Vjedhja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të ditës së hënë, kur persona të panjohur janë futur në Kështjellën rezidenciale. Për të evituar kontrollet elektronike, ata kanë dëmtuar më parë pajisjet për furnizim me energji elektrike, të cilave u kanë futur zjarrin.

Kryeministri i Saksonisë Michael Kretschmer (CDU) tha se “nuk janë plaçkitur vetëm vlerat e shtetit, por i tërë populli saksonas”. “Këto vlera janë mbledhur me shekuj të tërë me një mund të madh”, tha Kretschmer. Historia e këtij qyteti nuk mund të kuptohet si duhet pa Kupolën e gjelbër ku ka ndodhur vjedhja e koleksionit shtetëror, nënvizoi Kretschmer.

Kjo godinë historike është ndërtuar në shekullin e 16. Princi i Saksonisë dhe mbreti polak August der Starke kanë ndërtuar në vitin 1723 një hapësirë të posaçme të thesarit. Muzeu është konsideruar si një prej më të mbrojturve, por duket se nuk ka qenë edhe aq i sigurt nga plaçkitja. Policia është duke hetur intensivisht për kapjen e kriminelëve.

Para grabitjes në muzeun Dresdenit, ja se cilat kanë qenë vjedhjet kryesore të veprave të artit dhe objekteve me vlerë, që kanë ndodhur nëpër muzetë e botës.

Xhokonda në Muzeun e Luvrit

Më 21 gusht 1911, Xhokonda e famshme e Leonardo da Vinçit grabitet në muzeun e Luvrit. Në fillim, u dyshua për poetin francez Gijom Apoliner dhe piktorin Pablo Pikaso. Në fakt, hajduti ishte një punues italian vitrinash, që kishte ndihmuar për të futur veprat e artit nëpër vitrina.

Muzeu i Arteve të Bukura në Montreal

Natën e 3 shtatorit duke u gdhirë data 4 shtator 1972, tre grabitës, të armatosur me mitralozë dhe pushkë, përfituan nga punimet që po bëheshin në Muzeun e Arteve të Bukura të Montrealit dhe grabitën 18 piktura me vlerë të lartë dhe rreth 40 bizhuteri e objekte të çmuara. Veprat e vjedhura, që ishin piktura të Rembrandtit, Brugelit Plaku, Rubensit, Korotit dhe Delakruasë nuk u gjetën kurrë.

Vjedhja në Muzeun Gardner të Bostonit

Më 18 mars 1990, dy burra të maskuar si policë mashtrojnë personelin e muzeut “Isabella Stewart Gardner” të Bostonit dhe largohen prej andej me 13 vepra të piktorëve të mëdhenj, midis të cilëve Degas, Rembrandt, Vermer dhe Mane. Veprat e artit nuk u rimorën më, pavarësisht një shpërblimi të premtuar prej 10 milionë dollarësh, në vitin 2017.

“La Saliera” në Muzeun Kunsthistorisches të Vjenës

Më 12 maj 2003, “La Saliera”, një skulpturë e punuar me smalt e ar nga skulptori fiorentin Benvenuto Cellini (1500-1571), për mbretin e Francës François I, u grabit nga Muzeu Kombëtar i Arteve të Bukura të Vjenës. Hajduti ishte ekspert i sistemeve të alarmit. Vepra e artit, me vlerë 50 milionë euro, u gjet tre vjet më vovë.

Sulm i armatosur në Muzeun Munch, në Oslo

Më 22 gusht 2004, dy persona të armatosur hynë në mes të ditës në muzeun Munch të Oslos. Ata grabitën dy vepra të rëndësishme, pikturat “Thirrja” dhe “Madona” dhe u larguan mes turmave të habitura të vizitorëve. Veprat u gjetën dy vite më vonë, të dëmtuara, në rrethana misterioze.

Grabitja në Muzeun e Arteve Moderne të Parisit

Më 20 maj 2010, pesë mrekulli të Pikasos, Matisit, Brakut, Modilianit dhe Lezherit, me një vlerë prej më shumë se 100 milionë eurosh, u zhdukën nga Muzeu i Arteve Moderne të Parisit. Asnjëra nga veprat nuk u gjet.

Në Paris, midis vjedhjeve më të rëndësishme bëjnë pjesë edhe grabitja e 118 pikturave të Pikasos, në fund të janarit 1976, në Muzeun e Pallatit të Papëve në Avignon dhe ajo në Muzeun Marmottan, në nëntor 1985, gjatë së cilës u vodhën katër piktura të Monesë dhe dy të Renuarit. Të gjitha këto piktura u gjetën.