Kulturë “Nobeli amerikan” i Kadaresë, një rekomandim nga përkthyesja dhe një sekret për...

“Nobeli amerikan” i Kadaresë, një rekomandim nga përkthyesja dhe një sekret për Tolstoin

“Neustadt-i” i Kadaresë këtë vit, krahas shkrimtarit shqiptar si fituesi i edicionit të 50-të, pati të ftuar gjatë festivalit të mbajtur në muajin tetor edhe të tjerë personalitete shqiptare të letrave, si poetja Luljeta Lleshanaku, apo studiuesja Ani Kokobobo. Kjo e fundit ka përkthyer në anglisht disa nga veprat e shkrimtarit Ismail Kadare, si “Ikja e shtërgut” apo sprovat e tij letrare.

Për këtë, gjatë diskutimit në një nga takimet e mbajtura online në ngjarjen e madhe të të ashtuquajturit “Nobeli” amerikan, u pyet ndër të tjera, rreth librave që ajo do të rekomandonte, për lexuesit e rinj që duan të njohin letërsinë e shkrimtarit shqiptar. “Unë do të filloja me disa nga romanet e tij të hershëm si “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, “Kronikë në Gurë” apo “Prilli i thyer”. Më tej, do të shfletoja kryevepra pak më të komplikuara si “Ura me tri harqe” dhe “Pallati i Ëndrrave”, tha ajo.

Studiuesja është pedagoge e Gjuhëve Sllave dhe Letërsisë në Universitetin e Kansasit. Po ashtu, ajo punon si redaktore pranë gazetës “Tolstoy Studies”. Sa i përket preferencave të saj, për të përkthyer nga rusishtja në anglisht, ajo shprehet: “Nuk përkthej nga rusishtja. Kur përkthej, dhe këtu dua të theksoj se nuk më pëlqen përkthimi sa të shkruarit dhe hulumtimi – mendoj se është më mirë që ta shfrytëzoj kohën për të përkthyer nga shqipja, pasi jo shumë njerëz janë të kualifikuar për ta bërë këtë”. Kokobobo sugjeroi përkthimet e letërsisë ruse nga Richard Pevear dhe Larissa Volokhonsky, me të cilat punon edhe me studentët e saj.

E specializuar për letërsinë ruse të shekullit të XIX, studiuesja shqiptare tregoi më tej edhe për librin që e frymëzoi për t’iu dedikuar kësaj letërsie. “Ishte ‘Ana Karenina’, një roman që e kam lexuar mbi njëzet herë”, thotë ajo, duke shpjeguar se ndërsa e lexon pas kaq vitesh si grua e rritur, romani, merr një tjetër kuptim në sytë e saj.

Fakt i panjohur për Tolstoin

Si redaktore e “Tolstoy Studies Journal” dhe studiuese e Tolstoit, ajo është pyetur rreth ndonjë fakti të panjohur për shkrimtarin rus. “Mendoj se shumë njerëz nuk janë në dijeni të punës së gjerë aktiviste që Tolstoi bëri gjatë viteve të fundit të jetës. Ai përqafoi pacifizmin, por nuk e mbajti këtë besim vetëm ideologjikisht. Ai punoi që të ndihmonte njerëz të cilët u përpoqën t’i shmangeshin draftit dhe u burgosën. Madje ai avokoi për këta njerëz në burgje dhe përdori fitimet nga novela e tij e fundit “Ringjallja” për të ndihmuar një grup sektarësh rusë që kundërshtuan dhunën përmes së cilës detyroheshin të futeshin në ushtri”.