Politika Noka rrëfen përplasjen me Bashën në mbledhjen e kryesisë së grupit të...

Noka rrëfen përplasjen me Bashën në mbledhjen e kryesisë së grupit të PD

Deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka ka rrëfyer debatin me kryetarin Lulzim Basha në mbledhjen e kryesisë së grupit të PD-së.

“Basha tha se nuk do të lejojë një kongres anti-amerikan. Unë i thashë se 80% e bazës është kundër vendimit tuaj për përjashtimin e zotit Berisha. Ai e çoi 3 herë Partinë Demokratike në fitore. Ai më tha se ishte dakord, por vendimi i tij nuk do të tërhiqej.

I thashë se kjo është diabolizëm. Ju po shkatërroni partinë. Ne ramë dakord që të mos e bënim publik debatin tonë dhe ndaj nuk fola në media, por kur shoh që nga zyra e shtypit e partisë dalin këto njoftime, unë nuk mund të hesht.

I thashë ke marrë një vendim kundër vullnetit të shumicës së partisë ndaj si mund të qëndroni ju në krye të partisë kur përfaqësoni vetëm pakicën. I thashë se ka marrë një vendim që shkatërron këtë parti dhe që hedh partinë në hone të padëshirueshme. Ia bëra të qartë se nuk do ta lejoj që partia që unë dua të përçahet.

Kam informacione që po bëhen presione ndaj strukturave të Partisë Demokratike për të ndalur Foltoren e Berishës. Kryetari dhe strukturat e PD-së së Fierit janë thirrur nesër në Tiranë në ditën që Berisha do të shkojë në këtë qytet. Unë do të jem padiskutim në Fier. Unë jam për një parti më të bashkuar. Unë jam në kontakt me strukturat e PD në çdo cep në Shqipëri.

Përplasje fizike me Bashën? Është e gjitha trillim i medieve të Ramës për të kaluar nga debati parimor në një përplasje banale. E njëjta gjë edhe sot me Salianjin. Ne kemi pasur një debat brenda në sallë sepse ai ishte me idenë që nuk mund të kishim një përplasje me amerikanët. I thashë vetëm që shtetari dhe pushtetari kanë vetëm një dallim për mënyrën se si marrin vendimet. Salianji shprehte respekt për Berishën, por mbante linjën zyrtare të partisë”, tha Noka në Syri TV.