Aktualitet “Nuk bëj pazar me gjakun e djalit”, përplasje në sallën e gjyqit

“Nuk bëj pazar me gjakun e djalit”, përplasje në sallën e gjyqit

Përplasjet e forta mes familjarëve të Marvi Mihalit dhe prindërve të të akuzuarve për vrasjen e tij në sallën e gjyqit u bënë shkak për ndërprerjen e seancës se të martës në Gjykatën e Tiranës.

Prindërit e Mihalit pretenduan se pala tjetër ka shpifur publikisht duke thënë se ata kanë kërkuar dëmshpërblim për vrasjen e të birit.

“Nuk bëj pazar me gjakun e djalit”, tha Fatmira Mihali, nëna e Marvit.

Kaq mjaftoi që situata të precipitonte në fyerje të ndërsjella.

Për cenim të etikës, gjykata ndërpreu seancën dhe e shtyu në 26 mars.

Familjarët e viktimave pretendojnë se familja Mihali ka kërkuar mbi 320 milionë lekë dëmshpërblim, por nga ana e tyre familja Mihali e mohon.

Përplasja ka vijuar më pas jashtë ku e ëma tha se për të arrestuarit po jepet dënim i ulët

Fatmira Mihali: “Nuk e di, ky gjyq është për të bërë drejtësi për Marvi Mihalin apo ti lehtësuar autorët. Prokurori tha se Eugen Bitraj dënohet me 18 vite sepse ka lehtësi për shkak se është dorëzuar. Nuk është dorëzuar, e nxori ai Artan Lulaj.

E nxorri ai, se ishte brenda. Siç ikën dy të tjerët dhe po bëjnë pushime në ishujt e Greqisë. Ndërsa djali im po tretet në dhe.

Jam e prekur nga shpifje të tilla. Ja thershin djalin në burg, dhe ta shikojnë a bëjnë dot pazare, a ka çmim për gjakun për e fëmijëve të tyre. E provofshin në kurrizin e tyre dhimbjen e madhe që po përjetoj unë.”

Nëna e të riut akuzoi drejtorin e policisë gjyqësore se ka intimiduar dëshmitarët.

Ajo tha se do vendosë drejtësinë me çdo kusht: “Është vrasje me paramendim në bashkëpunim. Jo vetëm që e vranë, jo vetëm që nuk u dorëzuan në polici. Të gjithë dëshmitarët janë intimiduar nga oficeri i policisë gjyqësor. Nuk do ndalojmë për asnjë minuta.

Deri sot kemi thënë që do presim drejtësinë, por drejtësinë do ta vendosh me çdo kusht derisa të kem frymë. Boll i kam duruar baballarët e kriminelëve duke më prekur, më parë. Nuk kanë lënë gjë pa bërë dhe tani vijnë aty shpifin dhe gënjejnë.”

Seancën e kaluar prokuroria kërkoi 24 vite burg për Dejvi Bitrën, 20 vite për Marsel Allën, 25 vite për Gridens Allën, ndërsa  18 vite burg.