Kosova Nuk fitoi asnjë komunë në raundin e parë, Kurti: Tashmë Vetëvendosje është...

Nuk fitoi asnjë komunë në raundin e parë, Kurti: Tashmë Vetëvendosje është edhe subjekti më i madh në nivel lokal

Edhe pse nuk arriti të siguronte asnjë komunë në zgjedhjet lokale të së dielës, kryeministri Albin Kurti tha se partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, tashmë është edhe subjekti më i madh në vend në nivel lokal. “Zgjedhjet e 14 shkurtit nuk krahasohen me ato të 17 tetorit. Vetëvendosja, si subjekti më i madh në vend, kuvend dhe në nivel lokal, ka folur krahasimisht më shumë për çështjet nacionale, sesa lokale. Tani për 4 javë do të sqarohemi edhe ne vetë për çështjet lokale”, tha Kurti në një konferencë për mediat.

I pyetur nëse do të rikthente në detyrë si ministër të Shëndetësisë, Arben Vitinë, nëse nuk merrte drejtimin e Komunës së Prishtinës, Kurti tha: “Vitia është liruar nga detyra e ministrit. Është në garë për Prishtinën, në balotazh, Por besoj që më 15 nëntor do ta marrë detyrën, si kryebashkiak i Prishtinës”.

Vetëvendosje nuk arriti të siguronte asnjë komunë në raundin e parë, por do të garojë për 12 të tilla në balotazh. Sipas rezultatit fillestar, vetëm 17 komuna kanë një fitues, ndërsa drejtuesit e 21 të tjerave do të përcaktohen në raundin e dytë.

Lista Serbe është ajo që ka siguruar më shumë komuna, plot 9 të tilla nga 10 që janë më shumicë serbe. PDK fitoi në 4 komuna, në Mitrovicë të Jugut, Ferizaj, Hani i Elezit dhe Skenderaj; ndërsa LDK dhe AAK në 2 të tilla; respektivisht Lipjan e Pejë dhe Deçan dhe Suharekë. Lista Serbe është në balotazh vetëm në një komunë, në Kllokot, me iniciativën qytetare SNS.

Analistët parashikojnë se partitë e tjera do të bëhen bashkë për të mundur Vetëvendosjen e Albin Kurtit në balotazh. Për Prishtinën beteja zhvillohet mes Arben Vitisë së Vetëvendosjes dhe Përparim Ramës nga LDK që doli i dyti në zgjedhje. Në Gjakovë, ish-kryetarja Mimoza Kusari-Lila nga Vetëvendosje do të garojë kundër kryetarit të deritanishëm, Ardian Gjinit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Në komunën që kishte qeverisur për katër vjet, në Prizren, Mytaher Haskuka i LVV-së do të garojë në balotazh me kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Shaqir Totaj. Vetëvendosje do të synojë fitore në balotazh edhe në Gjilan, me kandidatin Alban Hyseni, i cili do të përballet me kryetarin e deritanishëm, Lutfi Hazirin e LDK-së. Këto dy parti do të garojnë edhe në Fushë Kosovë dhe në Viti.