Aktualitet “Nuk i kam parë unë e fundit”, hetimet për vrasjen e çiftit...

“Nuk i kam parë unë e fundit”, hetimet për vrasjen e çiftit Pasho fokusohen tek ish-e dashura e djalit të tyre

“Nuk jam unë personi i fundit që i kam parë, për çdo gjë tjetër flisni me avokatin tim”. Kjo është deklarata për mediat e ish-të dashurës së Taulant Pashos, djalit të Shpëtim dhe Teuta Pashos, trupat e të cilëve u gjetën të copëtuar në tre valixhe.

Hetimet për zbulimin e autorëve të vrasjes së çifit Pasho vazhdojnë, por tashmë prokurorët kanë një ide më të qartë se çfarë mund të ketë ndodhur me ta. Hetuesit po gjurmojnë djalin e viktimave, por dhe ish-të dashurën e tij, por ende nuk ka një akuzë kundër tyre.

Avokati i ish-të dashurës së Taulant Pashos në një deklaratë të shkurtër për mediat ka thënë se klientja e tij është duke pritur një telefonatë nga hetuesit dhe gjithçka di do ua tregojë atyre në praninë e tij.

Mediat në Itali shkruajnë se hetuesit e kanë të pamundur që të lënë jashtë hetimeve ish-të dashurën e Tualantit, pasi ajo në periudhën që çifti u zhduk jetonte me djalin e tyre. Po ashtu ajo kishte pasur takime të shpeshta me ta dhe vizita në banesën e tyre pasi prisnin lirimin e Taulantit nga burgu.

Data e zhdukjes së çiftit dhe data e lirimit të djalit të tyre është e njëjtë dhe kjo rastësi po hetohet nga prokurorët. Mediat në vend raportojnë se ditën që Pasho doli nga burgu ajo që doli e priti ishte ish e dashura e tij, ndërsa prindërit qëndruan në shtëpi dhe i prisnin për drekë.

Një tjetër arsye që prokurorët po hetojnë ish-të dashurën e Taulantit është dëshmia e vajzave të çiftit Pasho. Ato kanë treguar se vajza ka pasur disa probleme me vëllain e tyre dhe mund t’i ketë vrarë në shenjë hakmarrje.

Ndërkohë edhe Taulant Pasho pasi kishte dalë nga burgu i ishte ankuar avokatit se kishte humbur kontaktet me prindërit e tij dhe kishte disa ditë që nuk i kishin hapur telefonin.

“Jam shumë i shqetësuar, prindërit e mi kanë humbur prej ditësh, askush nuk e di se ku janë. Ata nuk i përgjigjen telefonit, është e çuditshme”, është kjo dëshmia e tij. Nga ajo kohë Taulanti ishte arratisur për në Zvicër, ku sërish është në burg për vjedhje.

Ndërkohë hetimet për zbulimin e autorëve të çiftit Pasho vazhdojnë. Deri tani është zyrtarizuar se një kufomë i përket Shpëtim Pashos, ndërsa pritet analiza e ADN-së që të konfirmohet se trupi tjetër i përket Teuta Pashos.

Trupat e tyre u gjetën pak ditë më parë në afërsi të një autostrade. Para vrasjes ata ishin dhunuar dhe më pas ishin copëtuar dhe futur në tre valixhe.