Extra Nuk i ke humbur ti ata që janë larguar prej teje. Ata...

Nuk i ke humbur ti ata që janë larguar prej teje. Ata të kanë humbur ty

Shumë nga ne mund ta kenë përjetuar largimin e dikujt që kemi dashur për arsye nga më të ndryshmet. Ndoshta edhe ti. Momentet e para kur ke qenë pa atë person, kanë qenë me siguri ndër më të trishtat që mund të kesh përjetuar ndonjëherë.

Mund të jesh ndjerë i/e pamjaftueshme për të tjerët dhe të jesh ndjerë tmerrësisht keq me veten. Ditë e ditë të tëra kanë kaluar dhe të është dukur sikur asgjë nuk do ndryshonte, sikur gjithë kohës do të ishte po njësoj. Je ndjerë sikur nuk do t’ia dilje ta harroje atë person. Por koha ka kaluar dhe ndoshta ka dhënë efektin më të mirë edhe për ty. Ndoshta të ka bërë edhe ty të ndihesh më mirë dhe ta kalosh atë që ka ndodhur…

Unë dua të të bëj të kuptosh se gjithçka e përshkruar më sipër, është krejtësisht normale. I ndodh kujtdo dhe nuk është arsye për të rënë në depresion. Madje, mendoj se është më mirë ta lësh dikë të largohet në momentin që nuk do të rrijë pranë teje, se sa ta mbash atë me detyrim pranë.

Nëse dikush nuk ndjen mjaftueshëm për ty edhe pas një kohe të gjatë bashkë, është e kotë të përpiqesh se gjërat mund të funksionojnë mes jush. Duaje veten dhe lëre atë person të shkojë. Në momentin që e lë të largohet nga ty, atëherë e kupton se ajo që ndieje për të, ka qenë dashuri e vërtetë. Mirëpo në momentin që kupton se e do më shumë veten, e ke më të qartë se zgjedhja që ke bërë, ka qenë e duhura.

Ti ke dhënë maksimumin. Ke bërë gjithçka që gjërat të funksiononin. Në momentin që dikush mund të ketë përdorur, apo të ketë luajtur me ndjenjat e tua, është pikërisht ai person që ka humbur në këtë rast, jo ti.

Ti ke fituar, pasi je liruar prej dikujt që vetëm dëm do të shkaktonte në jetë, ndaj, nëse je në një situatë të tillë, buzëqesh. Mos u trishto. Mendoji gjërat më thellë dhe mos u mjafto me sipërfaqen. Kjo është gjëja e duhur që ti të kesh një jetë të qetë dhe më të lumtur. Koha do të shërojë gjithçka, ndaj mos u trishto shumë.

Nëse sot dikush që doje, është larguar nga ty, dije se nesër Zoti ka rezervuar një person më të mirë për ty. Zoti e ka përherë një plan më të mirë për ne. Ti nuk bën përjashtim. Besoje këtë gjë dhe do ta shohësh se gjërat do të ndyshojnë për mirë në jetën tënde.