Kosova “Nuk i njoh kufijtë e Kosovës”, Haradinaj i drejtohet Vuçiçit: Ti luftënxitës,...

“Nuk i njoh kufijtë e Kosovës”, Haradinaj i drejtohet Vuçiçit: Ti luftënxitës, të paralajmëroj…

Kabineti Haradinaj ka reaguar ndaj një deklaratë të një ditë më parë nga presidenti Vuçiç, që tha se nuk njeh kufijtë aktualë të Kosovës, e kjo m’u në kulmin e debatit mbi ndryshimin e kufijve.

“Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se deklaratat e fundit kërcënuese, agresive dhe luftënxitëse të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të dhëna dje me datë 7 shkurt 2019 në qytetin e Vranjës, Serbi, se nuk i njeh kufijtë e Kosovës, kufijtë ndërkombëtarisht të njohur dhe të pranuar, në Jarinjë dhe Bërnjak, janë të papranueshme dhe paraqesin cenim serioz të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se këto deklarime janë edhe një atak i hapur ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe rrezikojnë paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë, rajon dhe më gjerë.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, me këtë rast ka thënë se do të ndërmarr të gjitha veprimet kushtetuese dhe ligjore me qëllim të ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, në përputhje me Deklaratën e Pavarësisë së 17 shkurtit 2008 dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thuhet në një deklaratë të qeverisë së Kosovës.

Bien në sy frazat e fundit të deklaratës, ku Haradinaj paralajmëron për veprime “kushtetuese e ligjore”.