Bota Nuk ia doli askush, Putin ul në tryezë presidentët e Azerbajxhanit dhe...

Nuk ia doli askush, Putin ul në tryezë presidentët e Azerbajxhanit dhe Armenisë

Liderët e Armenisë dhe Azerbajxhanit ranë dakord gjatë bisedimeve me presidentin rus, Vladimir Putin për të bashkëpunuar së bashku në lidhje me çështjen e demarkacionit, pas një lufte mes dy vendeve që iu mori jetën 6500 personave vitin e kaluar.

Kreu i Kremlinit bëri bashkë në Soçi presidentin armen Nikol Pashinyan dhe atë azer, Ilham Aliyev, 10 ditë pas përplasjes së fundit në kufirin mes dy vendeve.

“Bëmë një analizë të situatës së fundit në rajonin Nagorno-Karabakh. Së bashku, vlerësuam punën e paqeruajtësve rusë, rojeve kufitare dhe specialistëve të minave dhe atyre që po punojnë për kthimin e njerëzve në banesat e tyre”, u shpreh Putin.

Në deklaratën e përbashkët të nënshkruar nga 3 presidentët, Aliyev dhe Pashinyan ranë dakord të punojnë në lidhje me ngritjen e një komisioni të përbashkët për të përcaktuar vijën kufitare, një nga temat kryesore që kanë mbetur pa zgjidhur, përpara se të ndërhynte Rusia për t’i dhënë fund luftimeve.

Azerbajxhani doli si fituesi në këtë përballje duke rimarrë territorin që kishte humbur në një luftë të mëparshme midis viteve 1991 dhe 1994. Por shumë çështje mbeten të pazgjidhura, duke përfshirë statusin ligjor të Nagorno-Karabakut dhe armenëve që jetojnë atje, të cilët numërohet të ishin 150,000 para luftës.

Në komunikatë thuhej se liderët diskutuan zhbllokimin e lidhjeve ekonomike dhe të transportit, por nuk përmendej kthimi i të burgosurve të luftës.