Kuriozitete “Nuk jemi gati për të përballur lajmin e zbulimit të jetës në...

“Nuk jemi gati për të përballur lajmin e zbulimit të jetës në Mars”

Kreu i ekipit shkencor të NASA-s, Jim Green ka deklaruar se misioni i radhës në Mars do të jetë më i avancuari i realizuar deri më tani.

Pikëpyetjet rreth rezultateve të këtij misioni janë më shumë etike dhe kanë të bëjnë me raportin e njeriut me jetën dhe kuptimin e saj. Green mendon se nëse do të zbulohet se në Mars ka patur dikur jetë, apo ka edhe ende forma të jetës, problemi që do të shtrohet do të jetë në Tokë, te njerëzit.

“Do të jetë revolucionare. Do të hapë rrugën e një mënyrë të re të menduari. Nuk mendoj se jemi të përgatitur për rezultate të këtilla”, ka thënë Green për gazetën britanike “The Telegraph”.

Sonda Mars 2020 do të lëshohet verën e ardhshme dhe ajo do të mbledhë mostra nga planeti i kuq te të cilat shpresohet të gjenden gjurmë biologjike. Së bashku me sondën ExoMars, të Agjencisë Europiane të Hapësirës, sonda amerikane do të kryejë shpime në planetin e kuq, për të kërkuar jetë poshtë sipërfaqes radioaktive të tij. Kjo për arsye se sipas shkencëtarëve, në kushte ekstreme, jeta zhvillohet poshtë sipërfaqes.

Një ndër detyrat e tjera të Mars 2020 do të jetë testimi i prodhimit të oksigjenit në Mars dhe vëzhgimi i mundësive për krijimin e kolonive në të.