Sport Nuk ka lojë, Icardi, Perisic, dështimi i Naingolan, sa shumë probleme tek...

Nuk ka lojë, Icardi, Perisic, dështimi i Naingolan, sa shumë probleme tek Interi

Situatë aspak e këndshme në shtëpinë e Interit. Jashtë garës për titullin kampion, jashtë Champions League-s që në fazën e grupeve dhe së fundmi eliminimi nga Kupa e Italisë përpara se të luajë derbin kundër Milanit. Tashmë i vetmi synim që u ka mbetur zikaltërve është një nga 4 vendet e para dhe, nëse nuk fiton Europa League-n të paktën të arrijnë të avancojnë deri në një farë pike te ky kompeticion.

Në kampin zikaltër janë të shumta problemet që duhen zgjidhur, duke nisur që nga kontrata e Mauro Icardit. Akordi mes palëve për të rinovuar kontratën duket se është gjetur, por rendimenti jo i lartë i argjentinasit ka irrituar jo pak tifozët e Interit.

Më pas janë edhe rebelët e skuadrës: Ivan Perisic dhe Naingolan, të cilët duket se e kanë vendosur për t’u larguar dhe që për momentin janë pjesë e klubit kundër dëshirës së tyre.

Lautaro Martinez, nga ana tjetër, kërkon më shumë minuta, një tjetër problem ky për ekipin e Luciano Spallettit.

Për të qëndruar tek trajneri, eliminimi nga Kupa e Italisë ka ngritur pikëpyetje të mëdha rreth së ardhmes së tij. Madje, mediat italiane raportojnë se Spalletti pas eliminimit në ndeshjen kundër Lazios, ai ka patur një takim me drejtuesit e klubit.

Asnjë ultimatum, por sigurisht që është folur gjatë për problematikat e skuadrës dhe nëse situata nuk njeh përmirësim, atëherë sërish në skenë shfaqet emri i Antonio Contes si pasues i Spallettit në krye të stolit zikaltër.