Kryesore “Nuk ka plan alternativ të Macron për Ballkanin Perëndimor”

“Nuk ka plan alternativ të Macron për Ballkanin Perëndimor”

Kryeministri Zoran Zaev deklaroi se Maqedonia e Veriut nuk ka alternativë tjetër përveç BE-së dhe se shpreson se në Samitin e Zagrebit, liderët evropianë do ta korrigjojnë, siç thotë, padrejtësinë e madhe dhe gabimin historik për anulimin  vendimit për hapjen e negociatave aderuese.

Kryeministri Zaev thotë se në mënyrë miqësore i ka marrë të gjitha mesazhet inkurajuese që kanë ardhur në adresë të tij pas Samitit të Brukselit, duke i quajtur motiv për reformat e mëtutjeshme, por mbetet i bindur se Shkupi i ka përmbushur të gjitha obligimet duke përmendur konkluzionet e Këshillit të BE-së dhe Raportin e Komisionit Evropian. Kryeministri Zaev pret që në Samitin e Zagrebit në Maj të vitit të ardhshëm të korrigjohet ky vendim.

“Anulimi i vendimit për në Samitin Evropian të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor që do të mbahet në Zagreb, erdhi pikërisht nga Franca, që kishte theksuar se nuk është e gatshme, me këtë edhe Këshilli Evropian ende nuk është i gatshëm ta bëjë këtë hap”, tha Zaev.

Por, ambasadori i Francës në Shkup, Kristijan Timonie, bllokimin francez e arsyetoi duke hedhur fajin tek vendet aspirante. Ai për dallim nga Presidenti Macron përmendi edhe Marrëveshjen e Prespës, sipas të cilit, nuk është e mjaftueshme për kyçjen e vendit në BE.

“Ndodhi një ndryshim i çuditshëm i perspektivës. Unë si vëzhgues shpeshherë shtroja pyetjen se si nga vlerësimi objektiv të agjendës kaluam në pikat pozitive dhe negative të shpërblimit për arritjen e Marrëveshjes. Nga aspektet teknike, fondamentale, që janë kushte për fillimin e negociatave erdhëm në situatë të merremi me çështje nga gjeopolitika. Kjo nuk ishte perspektiva e Francës. Aspektet gjeostrategjike janë të rëndësishme, por kishte një zhvendosje të çuditshme të vëmendjes, që më shumë prekte marketingun politik, në vend të diskutimeve diplomatike”.

Kryeministri Zoran Zaev i ka përgënjeshtruar informacionet se vendeve të Ballkanit Perëndimor u është ofruar alternativa që në vend të anëtarësimit në BE të integrohen në të ashtuquajturën Zonë Ekonomike Evropiane.

“Që të ketë një gjë të tillë, kjo duhet të formalizohet në pjesën e ofertës. Nuk ekziston një çështje e tillë. Unë shpresoj se debati për metodologjinë për negociatat para aderuese do të vërtetohet bashkë më komisionerët, veçanërisht me Komisionerin për zgjerim”, tha Zaev.

Kryeministri Zoran Zaev edhe një herë ka theksuar se Maqedonia e Veriut nuk ka alternativë tjetër përpos Bashkimit Evropian, duke mbetur në qëndrimin se qytetarët duhet të mbeten të motivuar drejt këtij përkushtimi dhe siç tha, pikërisht për këtë u caktuan edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 12 Prill të vitit të ardhshëm.