Aktualitet Nuk ka të prekur nga koronavirusi në Shqipëri, negativë 5 të dyshuar

Nuk ka të prekur nga koronavirusi në Shqipëri, negativë 5 të dyshuar

Koronavirusi nuk e ka prekur Shqipërinë. Edhe 5 persona të dyshuar të ardhur nga Kina, pas testimit rezultuan negativ ndaj virusit të ri.

Gjatë mbledhjes së grupit “task force”, specialistë e drejtues të shëndetësisë theksuan rrezikun e ulët për depërtimin e koronavirusit.

“Shqipëria mbetet vend me risk të ulët sa i përket këtij virusi, por vigjilenca dhe i gjithë sistemi shëndetësor dhe gjithë institucionet partnere janë të gjithë të angazhuara në zbatim të masave”, tha ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manstirliu.

Në muajin shkurt, në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik do të bëhet diagnostikimi për virusin e ri nga Wuhani, ndërkohë që deri tani analizat kryhen për koronaviruset e tjera.

Deri tani në Shqipëri kanë hyrë nga Kina 100 shtetas shqiptarë dhe të huaj. Pas kontrolleve dhe monitorimeve të autoriteteve shëndetësore nuk janë konstatuar probleme në lidhje me virusin e ri i cili është përhapur në 26 shtete të botës.