Bota Nuk kanë kujt t’ia shesin, prodhuesit amerikanë i japin patatet e falas

Nuk kanë kujt t’ia shesin, prodhuesit amerikanë i japin patatet e falas

Me qindra shoferë parkuan makinat pranë një qendre tregtare në shtetin e Uashingtonit, SHBA, ku nisën të ofrojnë patate falas.

Ky rast është një tjetër shembull i pasojave që po krijon për ekonominë kriza e pandemisë.

Duke qenë se janë mbyllur restorantet, shkollat dhe hotelet, dhe me shtimin e numrit të të papunëve, fermerët nuk kanë ku t’i shesin prodhimet.

Shteti i Uashingtonit është i dyti në SHBA për prodhimin e patateve, pas Idahos. Tani ata kanë rreth 450 mijë ton patate të mbetura stok nëpër magazina.

Këto patate përdoren zakonisht për t’u skuqur nëpër restorante, dhe magazinat zbrazen përpara të korrave të korrikut.

Gjysma e këtij prodhimi shkon për tregjet ndërkombëtare, ndërsa gjysma tjetër përpunohet në SHBA.

Edhe në Europë, prodhuesit e patateve kanë nisur të kenë teprica të mëdha, teksa pandemia vazhdon të mbajë ekonomitë e mbyllura.

Prodhuesit e qumështit nga vende të ndryshme të BE-së protestuan kundër planeve të unionit për të ndihmuar sektorin e qumështit që të tejkalojë krizën e shkaktuar nga COVID-19 , duke e ruajtur në stok qumështin e tepërt.

Në SHBA janë infektuar më shumë se 1.2 milionë banorë, dhe ka pasur rreth 74 mijë të vdekur.