Politika Nuk ndalen sulmet e Presidencës kundër selive diplomatike

Nuk ndalen sulmet e Presidencës kundër selive diplomatike

Presidenca vazhdon përplasjen me selitë diplomatike. Zëdhënësi i kreut të shtetit ka ironizuar së fundmi qëndrimin e ambasadores franceze në Tiranë, Christine Vasac, e cila ka sugjeruar se, situata e krijuar me emërimet në Kushtetuese, mund të dërgohet në Venecia.

“Presidenti Meta nuk ndalon asnjë ambasador të bëhet qesharak dhe karagjoz duke hyrë në debate juridike që nuk ekzistojnë, pasi Kushtetuta dhe ligji për Gjykatën Kushtetuese e kanë të shkruar qartë dhe prerë se Presidenti s’mund të bëjë dy emërime të menjëhershme në Gjykatën Kushtetuese. Por Presidenti nuk i ndalon ata t’i drejtohen vetë Komisionit të Venecias e ta pyesin: Kush është më e rëndësishme, Kushtetuta e Shqipërisë apo Dvorani i Partisë”.

Zëdhënësi presidentit i quan këtë diplomatë dhunues të normave dhe konventave.

“Ndërsa Presidenti ka një pyetje për këta dhunues të çdo norme diplomatike dhe Konvente: A i keni marrë leje Kryetarit të shtetit tuaj kur hyni në lojërat e grupit të strukturuar diplomatik për të diskutuar dekretet e Kryetarit të një shteti që e ka shpallur Pavarësinë që në vitin 1912?!”

Për sulmet e fundit të presidentit ndaj ndërkombëtarëve, reagoi Departamenti i Shtetit dhe Komisioni Europian. Një prej zëdhënësve në Uashington theksoi se është në dijeni të situatës dhe për SHBA, ligji është mbi të gjitha. Ndërsa Koçijaniciç i cilësoi të papranueshme akuzat e presidentit Ilir Meta.