Bota Nuk pranoi t’i jepte dorën një gruaje, si e humbi një libanez...

Nuk pranoi t’i jepte dorën një gruaje, si e humbi një libanez pasaportën gjermane

Sipas një vendim gjykate në Gjermani, kushdo që refuzon të shtrëngojë duart me gratë për arsye fetare nuk mund të natyralizohet në këtë vend.

Kështu, gjykata administrative në Baden-Württemberg refuzoi aplikimin e një libanezi për pasaportë gjermane, shkruan Bild, pasi ai refuzoi t’i japë dorën një zyrtareje.

Historia filloi para pandemisë së koronavirusit. Libanezi, 40 vjeç, jetonte legalisht në Gjermani që nga viti 2002, ku ai studioi mjekësi dhe tani është një mjek profesionist në një spital vendas. Sjellja e tij gjatë dorëzimit të certifikatës së natyralizimit në vitin 2015 shkaktoi një mosmarrëveshje.

Libanezi nënshkroi më parë një deklaratë mbi respektimin e Kushtetutës gjermane dhe kundërshtimin e të gjitha formave të ekstremizmit. Ai gjithashtu shënoi numrin maksimal të pikëve në provën e natyralizimit. Por më pas ai nuk pranoi të shtrëngonte duart me një nëpunëse civile gjatë dorëzimit të planifikuar të pasaportës.

Zyra e rrethit më pas refuzoi natyralizimin. Libanezi apeloi në Gjykatën Administrative në Stuttgart. Por s’fitoi. Më pas shkoi në Gjykatën Administrative në Baden-Württemberg, e cila vendosi para dy ditësh: “Nëse aplikanti për natyralizim refuzon të shtrëngojë duart ‘për arsye specifike gjinore që nuk mund të harmonizohen me nenet e Ligjit Themelor’, ai nuk mund t’i përshtatet kushteve të jetesës në Gjermani. Kjo është veçanërisht e vërtetë nëse refuzimi për të shtrënguar duart midis gjinive – si në këtë rast – vjen nga qasja salafiste e raportit midis burrave dhe grave”, lexohet në shpjegimin e verdiktit.