Politika “Nuk shkon në zyrë se ka frikë?”, Rama iu përgjigjet akuzave nga...

“Nuk shkon në zyrë se ka frikë?”, Rama iu përgjigjet akuzave nga Surreli

Kryeministri Edi Rama i ka kthyer përgjigje akuzave politike se ky i fundit nuk shkon në zyrë për shkak se ka frikë nga koronavirusi.

Nga banesa e tij në Surrel, Rama ka thënë se ai ka shkuar çdo ditë në punë për shkak se ka patur impenjime, por sipas tij në këtë situatë nuk ka trimëri.

Rama ka shtuar se trimëria është të qëndrosh në shtëpi, pa vënë në rrezik të tjerët. Ai ka thënë se po behet një përpjekje fantastike, por kjo mund të prishet nga personat që nuk respektojnë izolimin në shtëpi.

“Uroj të jeni mirë në shtëpitë tuaja, edhe unë në shtëpi sot dhe me vjen të qesh se ajo puseta e hapur dixhitale që e dini të gjithë ku bie, kishte përhapur fjalën që nuk shkoj në zyrë nga frika. Në fakt në zyrë kam qenë i detyrua të shkoj çdo ditë se ma ka dashur puna, por kjo është një kohë që trimëri është të rezistosh sa më shumë pa dalë nga shtëpia dhe kur del, të dalësh vetëm nëse ke një punë të domosdoshme, pa u sheqeruar me askënd. Dhe të mos prishësh radhën dhe distancash kur shkon të blesh diçka.

Po bëni të gjithë një përpjekje fantastike, që do na e mbaj mend historia nëse nuk na e hedhin në plehra ata që nuk respektojnë ligjin  e kësaj lufte. Janë shumë pak në krahasim me popullsinë, por janë mjaft që të na bëjnë gjëmën dhe të na e bëjnë këtë luftë një tragjedi kombëtare mos e dhëntë Zoti”, thekson Rama.