Aktualitet Nuk zbatuan rregullat e COVID, ndëshkohen 4 pronarë lokalesh

Nuk zbatuan rregullat e COVID, ndëshkohen 4 pronarë lokalesh

Policia ka ndëshkuar me 1.000.000 Lekë, 2 subjekte në Krujë dhe 2 në Durrës, pasi u konstatuan se nuk kishin zbatuar rregullat e COVID-19.

Sipas Policisë bizneset në pronësi të S. RR., në fshatin Larushk dhe A. F., në fshatin Arrmeras në Krujë janë ndëshkuar pasi kishin organizuar ceremoni mortore.

Gjithashtu në Durrës, janë ndëshkuar me gjobë 1.000.000 Lekë secili, 2 subjekte në pronësi K. P., i cili gjatë kontrollit u konstatua i hapur, jashtë orarit të përcaktuar për mbylljen e subjekteve dhe një lokal tjetër që kishte organizuar një festë në kundërshtim me ligjin.

Mësohet se në të gjitha bizneset janë sekuestruar kamerat, për të bërë të mundur identifikimin e personave pjesëmarrës, të cilët do të ndëshkohen me masë administrative për thyerjen e masave të mara për parandalimin e përhapjes së COVID-19.