Bota Numër rekord rastesh në SHBA, OBSH: Nevojitet qasje më agresive ndaj pandemisë

Numër rekord rastesh në SHBA, OBSH: Nevojitet qasje më agresive ndaj pandemisë

Shtetet e Bashkuara regjistruan numrin më të lartë të rasteve ditore me koronavirus me mbi 63 mijë e 600 infektime të konfirmuara të premten.

Ka gjithashtu rritje të numrit të viktimave, me 774 vdekje të raportuara në 24 orët e fundit. Mbi 3 milionë njerëz kanë rezultuar pozitiv me COVID-19 që prej fillimit të pandemisë.

Sipas CNN, 29 shtete kanë përjetuar rritje të rasteve të reja krahasuar me javën e kaluar.  9 prej tyre, përfshirë Ohajo, Utah dhe Luiziana, shënuan shifra rekord.

Teksas dhe Florida janë mes shteteve më të prekura në vend. Florida regjistroi mbi 11 mijë e 400 infektime të premten, e në kontenë e Miami-Dade, 28 përqind e qytetarëve që kryen testin u konfirmuan me virus.

Në rang global, numri i rasteve me koronavirus i ka tejkaluar 12.5 milionë ndërsa viktimat janë më shumë se 560 mijë. Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se infektimet janë dyfishuar gjatë javëve të fundit, dhe bëri thirrje për një qasje më agresive për të luftuar pandeminë.

“Vetëm veprimi agresiv i ndërthurur me unitet kombëtar dhe solidaritet global mund të ndryshojë kthesën e kësaj pandemie. Ka shumë shembuj rreth botës që tregojnë se ajo mund të vihet nën kontroll”, deklaroi kreu i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus. Ai përmendi Italinë, Spanjën dhe Korenë e Jugut si histori suksesi.