Sport Numri 1 i UEFA-s përuron stadiumin “Air Albania”: Një xhevahir i vërtetë

Numri 1 i UEFA-s përuron stadiumin “Air Albania”: Një xhevahir i vërtetë

Të dielën, ora 20:45, 17 nëntor 2019, do të jetë një datë historike për të përuruar stadiumin më të madh kombëtar në Shqipëri. Një kapacitet prej 21. 690 vendesh, investim që ka prekur shifra 70 milionë euro duke përfshirë të gjithë strukturën (pjesa sportive dhe josportive).

Ndeshja Shqipëri-Francë mbyll edicionin kualifikues Euro 2020, por hap dyert për një epokë të re në një stadium modern. Pikërisht përballja me Kampionët e Botës është edhe prezantimi më i bukur.

Sipas asaj që ka lajmëruar zyrtarisht Federata Shqiptare e Futbollit, presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin do të jetë një nga të ftuarit e nderit për ndeshjen e parë zyrtare. Madje, vetë Ceferin ka folur në lidhje me këtë event.

“Në mënyrë që futbolli të mbetet popullor dhe të tërheqë sa me shumë të rinj në stadiume, është e domosdoshme që tifozët të kenë mundësinë që ti shikojnë ndeshjet në një ambient të sigurtë dhe të rehatshëm. Stadiumi Air Albania është një xhevahir i vërtetë dhe do të doja t’i shprehja përgëzimet e mia Federatës Shqiptare të Futbollit dhe aktorëve të tjerë që janë përfshirë në mbikëqyrjen dhe përfundimin e kësaj arene të mrekullueshme. Gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka shënuar një progres të jashtëzakonshëm si brenda dhe jashtë fushës në drejtim të zhvillimit të futbollit. Tashmë të rinjtë në të gjithë vendin mund të ëndërrojnë që një ditë të përfaqësojnë Shqipërinë në këtë stadium të mrekullueshëm”, u shpreh Čeferin.