Opinione Nxitimi, për të larë hesapet me Lulzim Bashën

Nxitimi, për të larë hesapet me Lulzim Bashën

Mero Baze

Një numër gjithnjë e në rritje, i ish- drejtuesve të Partisë Demokratike dhe grupime më të reja brenda saj, po kërkojnë me urgjencë largimin e Lulzim Bashës nga kreu i Partisë Demokratike dhe nisjen e një procesi për ristrukturimin e Partisë Demokratike.

Fillimisht një grup prej 19 nënshkruesish, kryesisht ish- pjesë e administratës së nivelit të dytë të PD, dhe më pas një listë e gjatë ish- drejtuesish të rëndësishëm të PD, që nga ish- nënkryetari Patozi, ish- sekretari I Përgjithshëm Bode, ish- ministra, ish- deputetë dhe themelues të PD, kërkuan ristrukturimin e partisë dhe largimin e Bashës.

Mund të ketë dhe lista të tjera që do të kërkojnë të njëjtën gjë në orët apo ditët që vijnë. Partisë Demokratike duket se i ka sosur durimi me Lulzim Bashën dhe ai duhet ta llogarisë me gjakftohtësi këtë situatë. Lulzim Basha është një humbës i madh dhe kryetari që nuk ka fituar asnjë betejë në krye të PD, dhe kjo e bën dhe më të vështirë rezistencën e tij.

Po ku mund të gabojnë ata që po duan të linçojnë sot Lulzim Bashën?

Rreziku kryesor duket se vjen nga nxitimi për të larë hesapet me Lulzim Bashën, duke hyrë në spiralen e një procesi sipërfaqësor, pa thelb, pa përmbajtje dhe pa prespektivë. Lista  e parë  me 19 nënshkrues, ku mes tyre shkëlqente emri i dhëndrit të Sali Berishës, ngjante më shumë si një përpjekje e rrethit të Berishës, për të kontrolluar procesin, duke hequr qafe Lulzim Bashën. Kjo është dhe gjëja më e gabuar që mund të ndodhë. Një proces sipërfaqësor zëvendësimesh, jashtë risktrukturimit dhe rithemelimit të PD, do të ishte përsëritja e një gabimi që i kushtoi PD katër vite të humbura dhe një disfatë e re elektorale.

E ardhmja e Partisë Demokratike varet shumë nga guximi që do të kenë sot ata që janë brenda atyre zyrave, për ta parë të keqen në sy dhe për të guxuar të rithemelojnë Partinë Demokratike nga e para. Partia Demokratike është në kohë të marrë frymë nga humbja dhe të shpallë rithemelimin e saj, duke krijuar një “qeveri teknike” që të administrojë gjithë këtë proces.

Partia Demokratike duhet rithemeluar me një proces të ndershëm dhe të hapur, duke ribërë një listë personalitetesh që rithemelojnë atë dhe rregullat e saj, duke bashkuar rreth saj çdo parti, çdo fraksion, çdo individ me influencë dhe rrezatim publik, që mund të ofrojë vlera për të.

Partia Demokratike nuk mund t’ia dalë dot me një proces burokratik zgjedhjesh, por me një ringjallje shprese që vjen nga bashkim vlerash. Dhe këtë e garanton një proces rithemelimi, jashtë ndikimit dhe kontrollit të Sali Berishës.

Sali Berisha duhet të mbetet vetëm si histori e PD, por jo si një diktues i rregullave dhe udhëheqjes së re të PD. Nëse kjo ndodh, apo bie erë që po ndodh, çdo udhëheqës ka lindur i vdekur, pasi në këtë vend ka aq njerëz sa ta lënë në opozitë përjetësisht PD, për shkak të Sali Berishës. Ai dhe gjithkush tjetër duhet ta mësojnë përfundimisht se ka një kohë kur iket nga politika, qoftë si humbës, qoftë si fitmitar dhe po nuk e kuptove atë kohë, ta kujtojnë qytetarët me votën e tyre. PD nuk ka pse vazhdon të ndëshkohet ende për Sali Berishën.

Është e qartë, që ata që po duan dhe kanë të drejtën e tyre ta heqin Lulzim Bashën, po taktizojnë me aleancën e fshehtë me Berishën, me shpresë se kështu e kanë më lehtë. Këtu gabojnë. Për të hequr Lulzim Bashën është shumë e lehtë, ndaj nuk ja vlen ndihma e Berishës. Berisha duhet detyruar të flasë për këtë çështje para Bashës, dhe jo të krijojë një hije misterioze pushteti, sikur ai po i bën gjërat në prapaskenë.

Që e ardhmja e PD, të ikë prej duarve të Sali Berishës, rruga e vetme është rithemelimi i saj, pas një procesi teknik administrimi të PD, qoftë dhe me një Këshill të Përkohshëm. Rithemelimi i PD dhe kthimi i saj në një shpresë për shoqërinë shqiptare, mund të krijojë frymë që të balancojë pushtetin e pazakonshëm që shqiptarët i dhanë Edi Ramës mbi të gjitha për faj të Partisë Demokratike dhe opozitës së vjetër, që bëri Sali Berisha në emër të saj. Shqiptarët panë për katër vjet, që ai nuk iku, që ndoti gjithçka, që e merrte zvarrë PD nga sheshet në Kuvend e nga Kuvndi në çadër, dhe natyrisht e rindëshkuan keq.

Gabojnë ata që mendojnë se Partia Demokratike dhe sidomos opozita, është listë nëpunësish për deputetë. Opozita është frymë, është mision dhe mbi të gjitha është rrezatim shprese. Për këtë shkak, aty duhen të ribashkohen njerëz që kanë çfarë i thonë shoqërisë, kanë ditur çfarë t’i japin asaj dhe kanë mundësi të ngjallin shpresë. Ata as nuk shpiken, as emërohen, as diktohen. Ata janë mes nesh dhe mund të bëhen bashkë, vetëm kur ta kuptojnë se janë të dobishëm për shoqërinë dhe jo për të maskuar një proces “reformimi”. Ndaj mos u lodhni të hamendësoni, se çfarë do bëjë Basha me ata deputetë që ka në Kuvend, çfarë do bëjë Berisha që të djegë Bashën, çfarë do bëjnë këta të tjerët, që ta kenë mirë me Berishën, e të tjera marrëzira si këto. Këto janë sorrollatje që nuk prodhojnë asgjë. PD është shtrirë përtokë dhe nuk e ngre dot në këmbë askush i vetëm. Rithemelimi është i vetmi shans./TemA