Kryesore “O djem, rrëmbeni armët”. PS kërkon përjashtimin e Berishës: PD të distancohet...

“O djem, rrëmbeni armët”. PS kërkon përjashtimin e Berishës: PD të distancohet urgjentisht

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar pas fjalimit të ish-kryeministrit Sali Berisha nga foltorja e Kuvendit, i cili bëri thirrje për rrëmbim armësh.

Balla apeloi Partinë Demokratike që të distancohet nga thirrje të tilla, ndërsa kërkoi mbledhjen e Byrosë së Kuvendit për të marrë masa ndaj Berishës.

“Unë besoj se ende brenda PD ka ngelur shtetarizëm për t’u distancuar nga kjo dhunë e pashembullt dhe nga kjo retorikë politike që nuk i bën mirë Shqipërisë. Apeli im është që PD urgjentisht të distancohet nga këto lloj thirrjesh, sikurse i bëj thirrje kryetari të Kuvendit në përfundim të kësaj seance që Byroja të shqyrtojë kërkesën tonë (për përjashtim) ndaj Berishës dhe kërkesat tona të djeshme ndaj deputetit Lulzim Basha”, tha Balla.

Kreu i grupit parlamentar të PD, Edmond Spaho u shpreh se ato ishin vargje të këngës patriotike: “Situata në të cilën ndodhet mazhoranca është komike e tragjike, u ka hyrë tmerri nga protestat popullore, po e ndjeni fundin e pushtetit tuaj, e kaloni në spektakle e butafori. Vargjet patriotike i konsideroni si thirrje për rrëzimin e rendit kushtetues. E keni kthyer Kuvendin ne Byro Partie, ku propozoni të përjashtohet, po të keni mundësi, gjithë grupi i opozitës”.

Më herët në fjalimin e tij nga foltorja e Kuvendit, Berisha apeloi maxhorancën të miratojë amendamentet për vetingun në politikë, ndryshe u shpreh ai në rrugët e qytetit do ushtojë: “O djem rrëmbeni armët, ja vdekje ja liri”.