Sport Objektivi numër një, Juventusi rinis sulmin për Donnarumman

Objektivi numër një, Juventusi rinis sulmin për Donnarumman

Planifikimi për të ardhmen është një domosdoshmëri për të gjitha skuadrat, aq më shumë për Juventusin, i cili gjithmonë ka studiuar në detaje lëvizjet që duhet t’i bëjë në kohë merkatoje. Dihet se periudha e transferimeve në futboll është “tokë pjellore”, por në të njëjtën kohë plot “kurthe”. Nuk është sekret që Fabio Paratici po bën një arsyetim të thelluar në lidhje me pozicionin e portierit. Kërkesat e larta të Wojciech Szczesny për rinovimin e kontratës, 7 milionë euro në sezon, po e lëkundin menaxherin e bardhezinjve, i cili duket i hapur për mundësi të reja.

Sipas “La Gazzetta dello Sport”, objektivi numër një është Gianluigi Donnarumma, aq shumë i lakuar në verën e vitit 2016, kur deshi të largohej nga Milani. Rinovimi me kuqezinjtë erdhi pas mijëra polemikave dhe mundimeve. Në pak muaj, te Milani mund të gjenden edhe një herë në atë situatë. Kontrata aktuale e portierit është e vlefshme deri në vitin 2021, por duket e qartë se përmirësimi i rrogës prej 6 milionë euro në vit do të ndërlikohej nga kostot dhe qëndrueshmëria e operacionit. Të gjitha do të binin ndesh me kufizimet e “fair play financiar”.

Dhe këtu është Juventusi, që hyn në lojë, i cili tashmë ka nisur të mendojë për alternativën e Szczesny. Kontrata e polakut do të skadojë më 2021 dhe, krahasuar me atë, Gigio është nëntë vite më i ri, por me një përvojë tashmë të konsoliduar fuqimisht në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare. Është e qartë, pra, se në “Continassa” bëjnë dy llogari, të moshës dhe cilësisë, një aspekt në të cilin Donnarumma ka gjithçka për të mos e pasur zili kolegun e tij bardhezi. Por, sa vlen kartoni i tij? Në verë, PSG ofroi 20 milionë euro, para plus Areola (që vlerësohet 30 milionë), por ky propozim u kthye me mirësi te dërguesi.

Edhe Juventusi mund t’i zbusë shpenzimet ekonomike me përfshirjen e një lojtari tjetër. Milani ka nevojë për një mbrojtës të identifikuar mes Rugani dhe Demiral. Ky i fundit është objekt i dëshirës kuqezi për disa muaj, tani. Ende nuk dihet nëse turku do të përfshihet në marrëveshje për portierin, por një gjë është e sigurt: “Zonja e Vjetër” asnjëherë nuk është ndalur së studiuari Donnarumma, një portier i së tashmes dhe së ardhmes.