Bota OBSH: Duhet të ndalojmë COVID-19 përpara se të dalin variante të reja...

OBSH: Duhet të ndalojmë COVID-19 përpara se të dalin variante të reja të rrezikshme

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se varianti Delta i COVID-19 është një kërcënim për botën duke deklaruar se është tepër e nevojshme që të ndalohet COVID-19 përpara se ai të pësojë mutacione dhe të dalin në qarkullim variante të tjera të rrezikshme.

“Delta është një paralajmërim, është paralajmërim sepse virusi po evoluon, por është edhe një thirrje për veprim para se variante më të rrezikshme të krijohen“, u shpreh drejtori i emergjencave në OBSH, Michael Ryan.

Ai ka vijuar duke thënë se masat e vërtetuara që vënë nën kontroll shpërndarjen e virusit ende funksionojnë. Mbajtja e maskave, distancës sociale, higjiena e duarve si dhe shmangia e qëndrimit në vende të mbyllura dhe me shumë njerëz vazhdojnë të jenë mënyra më e mirë për të parandaluar përhapjen e virusit.

Varianti Delta u përhap fillimisht në Indi. Tashmë ky variant është prezent në 132 shtete dhe është pjesërisht fajtor për rritjen prej 80% të humbjeve të jetëve nga koronavirusi në Afrikë në këto katër javët e fundit.

Ndërsa më shumë se katër miliardë doza të vaksinave kundër COVID-19 janë shpërndarë në të gjithë botën. Agjencia e Shëndetit në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka bërë thirrje për një shpërndarje të drejtë dhe të barabartë.