Aktualitet OBSH: Infeksionet në Shqipëri nga Covid-19, mbi mesataren e BE

OBSH: Infeksionet në Shqipëri nga Covid-19, mbi mesataren e BE

Numri i të infektuarve nga Covid-19 në Shqipëri e ka kaluar mesataren e Bashkimit Europian. Për zyrën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shifrat janë shqetësuese, siç pohon në një intervistë për Tv Klan përfaqësuesja Bettina Menne.

“Prej mesit të Qershorit kemi qenë dëshmitarë të një rritjeje të numrit të rasteve me koronavirus. Kjo është shumë shqetësuese. Ne kemi mbi 3 mijë raste aktive për momentin në vend. Dhe kjo e bën numrin e të infektuarve në 60 për 100.000 banorë vetëm në 14 ditët e fundit, që është shumë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian”, tha Menne.

Përfaqësuesja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë thotë se problem janë të rinjtë, të cilët, po e përhapin në masë virusin, për shkak të pakujdesit që tregojnë.

“Ne mendojmë se është shumë e rëndësishme që sjellja e moshave të reja të ndryshojë, sepse virusi transmetohet shumë lehtë nga një njeri tek tjetri”, tha ajo.

Përqindja e vdekshmërisë nga Covid-19 në Shqipëri ka arritur në 3.1.

“Në Shqipëri përqindja bruto e vdekshmërisë klinike të koronavirusit që shpreh totalin e vdekjeve mbi totalin e rasteve është tek 3.1%. Faktorët e rrezikut që rëndojnë sëmundjen janë mosha e madhe dhe sëmundjet e tjera bashkëshoqëruese hipertensioni, obeziteti, diabeti të cilat ndikojnë shumë”, tha ajo.

Por a duhet t’i rikthejë Shqipëria kufizimet?

“Në shumë vende numri i rasteve të reja është rritur. Nuk është vetëm në Shqipëri. Në këtë fazë për Shqipërinë do të ishte shumë e rëndësishme, do të ishte një sistem shëndetësor dhe shërbime shëndetësore shumë të mira që identifikojnë sa më parë të jetë e mundur të gjitha rastet, në mënyrë që njerëzit të izolohen dhe kontrolli i gjurmimit të kontakteve të kryhet realisht”, tha Menne.

Përsa i përket vaksinës së prodhuar në Rusi, Menne shprehet se OBSH mirëpret përparimin që bëhet në drejtim të zhvillimit të vaksinave, por nuk thotë nëse do të blihet apo jo kjo vaksinë nga organizata.