Aktualitet OBSH, thirrje shteteve të pezullojnë dozat e treta të vaksinave: Prioritet vendet...

OBSH, thirrje shteteve të pezullojnë dozat e treta të vaksinave: Prioritet vendet e varfra

Organizata Botërore e Shëndetit bën thirrje për pezullimin e dozës së tretë te vaksinës COVID-19.

Shefi i OBSH -së, Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus u shpreh se një pauzë në dozat e treta do të lejojë që të paktën 10% e popullsisë së çdo vendi të vaksinohen.

Ai paralajmëroi se vendet më të varfra po mbeten mbrapa me procesin e vaksinimit dhe shtoi se shumica e vaksinave tani do të shkojnë në vendet me të ardhura më të ulëta.

“Ne nuk mund dhe nuk duhet të pranojmë që vendet që tashmë kanë përdorur shumicën e furnizimit global të vaksinave të përdorin edhe më shumë vaksina, ndërsa njerëzit më të varfër në botë mbeten të pambrojtur”, tha Adhanom Ghebreyesus.

Por Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Izraeli kanë njoftuar tashmë planet për të administruar dozat e treta për popullsinë e tyre.

Planet për të nisur dozat përforcuese për kategoritë më të ndjeshme në Francë, siç janë të moshuarit, do të fillojnë në vjeshtë.

Hungaria që prej datës 1 gusht ka filluar të japë dozën e tretë të vaksinës. Gjermania planifikon të nisë në 1 Shtator, dhe Mbretëria e Bashkuar po ashtu pritet të nisë nga 6 shtatori.

Ndërkohë në SHBA, një zëdhënës i qeverisë tha se thirrja e OBSH-së drejtuar vendeve të pasura për të shtyrë vaksinimet është një “zgjedhje e gabuar”. Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, shtoi se SHBA mund t’u japë dozat e treta qytetarëve të saj, në vend që t’i dhurojë për kombet më të varfra.

“Ne njoftuam se kemi arritur një hap të rëndësishëm prej mbi 110 milionë vaksina të dhuruara në botë, që është më shumë se çdo vend tjetër mund të ketë dhuruar. Ne po i kërkojmë bashkësisë globale të shtojë bashkëpunimin. Ne pamë disa aksione në G7 por duhet të ketë më shumë veprim”, u shpreh Jen Psaki.

Sipas OBSH-së, deri më tani, vendet me të ardhura të ulëta kanë qenë në gjendje të administrojnë vetëm 1.5 doza për çdo 100 njerëz për shkak të mungesës së furnizimit me vaksina.