Kosova Oferta e fundit e Kurtit për LDK: Merrni 6 ministra, plus Presidentin

Oferta e fundit e Kurtit për LDK: Merrni 6 ministra, plus Presidentin

Në përpjekje për të arritur sa më parë një marrëveshje për formimin e qeverisë, Albin Kurti i ka propozuar një ofertë të re Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje i ka dërguar Isa Mustafës në orët e vona të së martës propozimin për arritjen e marrëveshjes. Ai propozon rritjen e numrit të ministrive nga 12 në 14, duke i dhënë LDK-së gjashtë ministri, Vetëvendosjes pesë dhe minoriteteve tre.

Edhe pse ka rritur numrin e ministrive, Kurti duket se nuk është tërhequr nga posti i Kryetarit të Kuvendit, i cili edhe sipas skemës së re i takon LDK-së.

“Kryeministri, kryetari i Kuvendit, zv.kryeministri i dytë, një nën-kryetar Kuvendi, 5 ministri do t’i takonin VV-së”, thuhet në këtë propozim.

Ai ka ofruar që LDK të ketë zv.kryeministrin e parë, post që sipas raporteve do t’i shkojë Vjosa Osmanit, nënkryetarin e parë të Kuvendit, 6 ministri dhe dy zv.ministra më shumë se LVV.

Kurti ka hapur po ashtu rrugë për çështjen më të rëndësishme për LDK-në: postin e Presidentit. Ai është pajtuar që Mustafa të propozojë kandidatin për President i cili sipas VV-së plotëson të gjitha kushtet dhe të gjitha kriteret kushtetuese.

“Nëse, për çfarëdo arsye nuk zgjidhet Presidenti, atëherë LDK do ta marrë një ministri shtesë”, thuhet në propozim. Ndërkohë VV e quan të mbyllur çështjen e kryeparlamentarit dhe nuk e ridiskuton më.

Që nga e enjtja e javës së kaluar Kurti dhe Mustafa nuk kanë pasur asnjë takim dhe negociatat duket se janë bllokuar sërish. Nga LDK nuk ka asnjë reagim mbi këtë propozim të fundit të VV.