Kosova Oferta e Kurtit për Serbinë: Të dyja vendet t’i heqin targat e...

Oferta e Kurtit për Serbinë: Të dyja vendet t’i heqin targat e përkohshme

Një pjesëtar i policisë speciale të Kosovës qëndron pranë kamionëve në një rrugë pranë pikës kufitare veriore të Kosovës në Jarinje, 20 shtator 2021.

Kosova është e hapur të bisedojë për zgjidhje në çështjen e targave me Serbinë, madje ajo propozon që të dy vendet t’i heqin targat e përkohshme.

Kjo u bë me dije nga Kryeministri Albin Kurti gjatë një konference për shtyp ku ai u bëri thirrje serbëve të Kosovës që të lirojnë rrugët e bllokuara.

Pasi mbrojti vendimin për reciprocitet, Kurti tha se është i hapur për të biseduar zgjidhje, por vetëm konform Kushtetutës së Kosovës. Ai tha se bllokimet e rrugëve si protestë në veri janë bërë nga kamionë të institucioneve lokale.

Ftoj kryetarët e komunave në veri të Ibrit që të tërheqin automjetet e institucioneve komunale nga rruga dhe ftoj po ashtu grupin e organizuar të qytetarët serb të largohen nga rrugët regjionale, pasi kështu ata kanë bllokuar vetveten dhe lëvizjen e tyre. Vënia e ligjshmërisë në vend është interes i të gjithëve dhe nuk është kundër askujt”, tha Kurti.

Një gjë të tillë, Kurti tha se ia ka bërë të qartë edhe zyrtarëve të lartë në BE, rrjedhimisht edhe ofertën për largimin të tërësishëm të targave të përkohshme si nga Serbia, ashtu edhe nga Kosova.

“Ne jemi për bisedime dhe dialog, ia kemi konfirmuar këtë gjë edhe Brukselit si përfaqësuesit të lartë, Josep Borrell, gjithashtu edhe përfaqësuesit të tij për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun, zotit Lajçak. […] Por pragmatizmi ynë kufizohet nga ligji dhe kushtetutshmëria e Kosovës. Edhe oferta jonë publike është praktike, kjo është le t’i heqim targat e përkohshme edhe Serbia dhe Kosova dhe këtë mënyrë qytetarët të qarkullojnë sa më shumë dhe sa më pak vonesa,” tha Kurti.

Varhelyi: Veprimet e njëanshme nuk janë zgjidhje

Ndërkaq, Komisioneri i Bashkimit Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë për t’u përmbajtur dhe për të ulur tensionet.

Varhelyi shkroi në faqen e tij zyrtare në Twitter se veprimet e njëanshme nuk janë zgjidhje dhe të dy vendet duhet t’i kthehen dialogut.

Pas vendosjes së reciprocitetit të targave nga Kosova, situata në veri të vendit është shumë e tensionuar.

Komisioneri deklaroi të mërkurën se të gjitha këto tensione të panevojshme duhet të tërhiqen.

“Është e detyrueshme të përmbaheni dhe të ulni tensionet, t’i ktheheni dialogut dhe të siguroni lirinë e lëvizjes pa vonesa. Veprimet e njëanshme nuk janë kurrë zgjidhje. Ato çojnë vetëm në tensione të panevojshme dhe duhet të tërhiqen,” – shkroi Varhelyi.

Të hënën qeveria e Kosovës bëri me dije se të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në Kosovë duhet të pajisen me targa të përkohshme, diçka që mund të bëhet në të gjitha pikat kufitare të Kosovës.