Aktualitet OFL kërkon deklarimin e pasurisë nga 5 të dënuar

OFL kërkon deklarimin e pasurisë nga 5 të dënuar

Operacioni Forca e Ligjit në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ u ka dërguar sot formularin e deklarimit të pasurisë disa të dënuarve.

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL u ka nisur kërkesat me shkrim subjekteve të këtij ligji.

Përpara OFL duhet të përgjigjen: Angjelin Ndreka banues në Lezhë, i dënuar për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;

Ndue Jaku banues në Lezhë, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”; Ilia Pire banues në Elbasan, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”;

Arben Muça banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim; Egli Duka banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.