Kryesore “Ohri”, Rama: E inkurajoj Albinin për hapat e hedhur

“Ohri”, Rama: E inkurajoj Albinin për hapat e hedhur

Pas dakordësisë në Ohër për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, Albin Kurti ka vizituar Tiranën për t’u takuar me krerët më të lartë të shtetit shqiptar.

Për afro dy orë, kryeministri kosovar u takua me kreun e qeverisë shqiptare, i cili gjatë një postimi në rrjetet sociale thotë se ndau me mikun e posaçëm gjatë një dreke detaje rreth marrëveshjes dhe ecurinë e mëtejshme të procesit të zbatimit të saj.

“I shpreha Albinit të gjithë simpatinë time për kurajon dhe realizmin me të cilin ka hedhur hapa me rëndësi të madhe drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E inkurajova kryeministrin në hedhjen e hapave të mëtejshëm, qoftë për garantimin e komunave serbe në kornizën e asociacionit që garanton vetëmenaxhimin e komunitetit serb, qoftë për funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe në vendet e saj të kultit në Kosovë, duke e siguruar se në këtë proces jo të lehtë ai ka mbështetjen time më të plotë”, tha Rama.

Rama dhe Kurti në takimin e zhvilluar në vilën qeveritare 30 ranë gjithashtu dakord që mbledhja e ardhshme e të dy qeverive të mbahet në Qershor.

Negociatat e zhvilluara një javë më parë lidhur me propozimin europian ishin gjithashtu në fokus të takimit që kryeministri Kurti zhvilloi për rreth 30 minuta me Presidentin Bajram Begaj.

Kreu i shtetit vlerësoi arritjen e kësaj marrëveshjeje si një garanci më shumë për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e vendeve të rajonit në Bashkimin Europian dhe shprehu gjithashtu besimin se zotimi i marrë nga palët në Ohër do të respektohet, ndërkohë që do të gjenden mekanizmat e duhur për ta kthyer këtë dakordësim publik në një marrëveshje të detyrueshme e të zbatueshme për ndërkombëtarët.

Pas Presidentit Begaj, Kryeministri Kurti u takua edhe me kryetaren e parlamentit Lindita Nikolla. Kurti u shpreh i vendosur për zbatimin e planit europian, duke respektuar Kushtetutën e Kosovës dhe bashkëpunuar ngushtë me BE-në dhe SHBA-të.