Bota OKB: Pushtimi i Ukrainës mund të shkaktojë krizë globale ushqimore

OKB: Pushtimi i Ukrainës mund të shkaktojë krizë globale ushqimore

Pushtimi rus i Ukrainës mund të shkaktojë mungesa globale të ushqimit në muajt e ardhshëm, ka paralajmëruar OKB-ja, raporton BBC.

Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres tha se lufta kishte përkeqësuar pasigurinë ushqimore në vendet më të varfra për shkak të rritjes së çmimeve dhe paralajmëroi se bota mund të përballet me kriza buke që zgjasin me vite nëse eksportet ukrainase nuk rikthehen në nivelet e paraluftës.

Konflikti ka ndërprerë furnizimet nga portet e Ukrainës, të cilat dikur eksportonin sasi të mëdha vaji luledielli dhe drithëra si misri dhe gruri.

Kjo ka ulur ofertën globale dhe ka bërë që çmimi i alternativave të rritet. Çmimet globale të ushqimeve janë pothuajse 30% më të larta se e njëjta kohë e vitit të kaluar, sipas OKB-së.

Duke folur në Nju Jork të mërkurën, Guterres tha se konflikti kërcënon dhjetëra miliona njerëz nga pasiguria ushqimore, kequshqyerja dhe uria.