Sport Olsi Rama: Titulli? Nuk urohet ditëlindja para kohe. Çfarë më tha Gjici

Olsi Rama: Titulli? Nuk urohet ditëlindja para kohe. Çfarë më tha Gjici

Prania e drejtorit të Partizanit, Olsi Rama, si përfaqësues i klubit të kuq në Asamblenë e Zakonshme, u shfrytëzua nga mediet për t’i marrë një prononcim.

Partizani është 12 pikë larg Kukësit, mund t’ju urojmë për titullin kampion apo e keni për ters?

Nuk është punë tersi. Nuk urohet ditëlindja para se të vijë dita. Edhe ne e dimë që kemi edhe 7 javë të tjera. Janë akoma në lojë edhe 21 pikë. Ka akoma goxha punë. Më pëlqeu një deklaratë e trajnerit që tha klubi kërkon rezultatet unë kërkoj gjithmonë 3-pikëshin. Për Partizanin e rëndësishme është të japë maksimumin në çdo ndeshje. Mundësisht, ta arrijë objektivin sa më shpejt të jetë e mundur.

Një çerek shekulli pritje, keni bërë ndonjë përgatitje për festën?

Jo, jo! Nuk kemi bërë asnjë përgatitje.

Çfarë ishte e veçantë këtë vit për Partizanin?

Besoj se është disiplina, respekti i ndërsjellë mes strukturave të klubit dhe lojtarëve dhe stafit teknik. Rregulli i vënë në skuadër, dëshira e djemve që bënë një grup të mrekullueshëm për të punuar. Qetësia që kanë pasur ata në vetëdijen e tyre se janë një grup i fortë dhe se rezultatet do të vijnë. Detyra ime është të jem i kujdesshëm në çdo moment dhe për të mbajtur sa më larg euforinë, e cila ndonjëherë ndihmon, por në pjesën më të madhe të rasteve dëmton.

Ju uroi Gjici për titullin?

Jo! Gjici më tha se kampionati nuk ka mbaruar. Unë i thashë të ketë kujdes vendin e dytë. Në kuadrin e shakasë.

Çfarë kishte të veçantë Asambleja?

Nuk e di, është Asambleja ime e parë, nuk mund të them çfarë kishte të veçantë.

Prisni që Liga Profesioniste të jetë gati vitin e ardhshëm?

Jam “partizan” i Ligës dhe pretendoj që të marrë shumë më tepër përsipër dhe të bëjë diferencën. Të krijojë një produkt më të qëndrueshëm.

I druheni një rënie të skuadrës javën e fundit?

Le të vijë njëherë siguria matematike, pastaj të mendojmë për të gjithë gjerat e tjera. Ne kemi një ekip me 25 lojtarë. Në qoftë se do të vijë ajo siguria matematike, ne do t’iu japim hapësirë lojtarëve të tjerë.

Çfarë objektivash keni në Europë?

Nuk kemi vendosur objektiva. Sigurisht që rritja cilësore e ekipit të bën që ta ngresh stekën. Për ne e rëndësishme është që ta ruajmë këtë integritet dhe të përmirësohemi me elementë akoma më cilësore.