Politika Operacioni anti-tepsi, Rama: Masa konkrete kundër parazitëve e grabitqarëve

Operacioni anti-tepsi, Rama: Masa konkrete kundër parazitëve e grabitqarëve

Në Konferencën Kombëtare për Reformimin e Shërbimeve Administrative, kryeministri Edi Rama tha se qeveria është plotësisht e përgatitur për realizimin e plotë të një shkurtimi të parë drastik të burokracisë për qytetarët, në çdo sektor.

Kreu i qeverisë tha se kjo ishte faza e parë e operacionit anti-tepsi që përmbyllet pas 4 muajsh pune intensive.

“Një hap i madh për rritjen e shpejtësisë së shërbimeve për qytetarin në zyra e sportele dhe uljen e ndjeshme të korrupsionit. Jo vetëm kaq, po edhe masa konkrete kundër parazitëve e grabitqarëve, përmes Platformës së Bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al”, tha Rama.

“Nëse flasim për korrupsionin që shqetëson qytetarët, kemi nga njëra anë korrupsionin e lartë, për të cilin Reforma në Drejtësi, Vettingu është ilaçi i duhur dhe ndëshkimet që do të pasojnë janë ilaçi i duhur. Por kemi edhe korrupsionin e gjithëpërhapur të nevojës për ryshfet, që është tipik për vende në zhvillim. Në këtë aspekt, ne besojmë shumë se përgjigja është modernizimi, i cili ka një komponent themelor, shkurtimin e duarve të shtetit në jetën dhe në xhepin e qytetarëve për shërbime që janë të drejta të fituara që shteti duhet t’i garantojë”.

Sipas tij, reforma do të kërkojë kohën e vet, por duhet të shkojmë drejt heqjes së mundësisë së marrjes së shërbimit në dorë me letër, në rastet kur janë të mundura shërbimet digjitale.

“Platforma e bashkëqeverisjes është reale, funksionon. Në vend që të japësh mik, thjeshtë beso se ti e zgjidh vetë problemin tënd për tre minuta, duke futur mikun më të madh, qeverinë e Republikës së Shqipërisë, ministrin apo ministren sipas sektorit. Sot ne kemi mbi 2500 raste konkrete që e provojnë këtë që them unë. Sot kemi 35 punonjës hipotekash në prokurori. Nuk i ka dërguar auditi apo kontrolli i shtetit, i ka dërguar qytetari që ka ngritur krye.”

Mes të tjerash, kryeministri solli edhe shembullin e reformës së thellë që po ndërmerret në zyrat e doganave.

“Ne do ta vazhdojmë procesin, ndër më të rëndësishmet është realizimi i një ëndrre të paimagjinueshme për të hequr doganierin nga shtëpia e importuesve dhe eksportuesve. Sot të importosh në Shqipëri është një proces pa doganierin në mes. Mjafton një kompjuter dhe për 20 min ti zhdoganon mallin”.