Aktualitet Operacioni kundër lojërave të fatit, policia jep detaje: 115 persona në pranga

Operacioni kundër lojërave të fatit, policia jep detaje: 115 persona në pranga

115 persona janë vënë në pranga nga operacioni “Fati i lojërave” i realizuar gjatë mbrëmjes së të enjtes.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu tha se janë shpallur në kërkim 2 persona të tjerë, ndërsa 24 janë proceduar në gjendje të lirë. Në total autoritetet kanë sekuestruar 172 milionë lekë të vjetra.

Puna hetimore për këtë operacion ka zgjatur 7 muaj, ndërsa është zhvilluar në disa qarqe të vendit përkatësisht në Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Lezhë dhe Shkodër. Mbi bazën e provave të siguruara, u nxorën nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë vendimet për kontrollin e vendeve dhe lokaleve në Tiranë ku dyshohej se ushtrohej kjo veprimtari kriminale.

Veliu tha se aksioni policor u zhvillua në të njëjtën kohë kur kishte ndeshje futbollit të Europa League. Gjithsej u përshinë 1540 forca  policore. Në Tiranë dhe në qarqe u ushtruan 486 kontrolle në lokale dhe ambiente që dyshohej se zhvillohej kjo veprimtari kriminale.

Si rezultat, në kryeqytet u arrit të sekuestrohej një sallë qendrore monitorimi, e cila monitoronte aktivitetin që zhvillohej në pikat e tjera që zhvillohej ky aktivitet.

Në këtë sallë u gjetën dhe kapën në punë të zezë 6 punonjës, 20 monitorë, 17 DVR dhe administratori i sallës, shtetasi G. M. Po ashtu u gjetën dhe u sekuestruan 170 milionë lekë të vjetra, të grumbulluara nga bastet që ishin vendosur nëpër pikat e monitoruara prej kësaj qendre kriminale. Në pranga u vunë 5 menaxherë të pikave dhe një menaxher në Durrës.

“Në Tiranë janë arrestuar 84 administratorë dhe menaxherë të lokaleve ku organizonin lojërat e fatit dhe kishin vënë në dispozicion të ambienteve për zhvillimin e këtij aktiviteti të paligjshëm. Në Korçë janë arrestuar 9 persona dhe 7 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë sekuestruar 1 milion lekë të vjetra. Në Elbasan janë arrestuar 7 persona dhe 1 është shpallur në kërkim. Në Durrës janë arrestuar 5 persona dhe 2 janë proceduar në gjendje të lirë. Në Berat janë arrestuar 4 persona, 6 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 1 është shpallur në kërkim. Në Fier janë arrestuar 3 persona dhe 3 janë proceduar në gjendje të lirë. Në Shkodër janë arrestuar 3 persona, 3 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë sekuestruar 1 milionë lekë të vjetra. Në Lezhë janë proceduar në gjendje të lirë 3 persona”, tha Veliu.

Përveç parave, në total janë sekuestruar 40 kompjuterë, 60 DVR, 245 aparate celular, një numër i konsiderueshëm televizor plazma, blloqe shënimesh që shërbejnë për vendosjen e basteve, kasa fiskale, një armë zjarri pistoletë.

Veliu tha se operacioni është në vijim. Në momentin e deklaratës për shtyp ai shoqërohej nga drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj.