Kryesore Operacioni në Velipojë, policia zbulon arsenal armësh në një banesë

Operacioni në Velipojë, policia zbulon arsenal armësh në një banesë

Në vijim të krehjes së zonës për gjetjen dhe arrestimin e personave që qëlluan me armë zjarri në ajër, në afërsi të fshatit Luarëz të Njësisë Administrative Velipojë, shërbimet policore të Shkodrës zhvilluan edhe operacionin e koduar “Luarëz”.

Në bazë të këtij operacioni, u rrethua një perimetër i gjerë dhe u kontrolluan disa banesa, ndërsa në shtëpinë e pabanuar të shtetasit G.S. u gjetën dhe sekuestruan një granatë-hedhës, silenciator, radio policie, rreth 700 fishekë luftarakë, disa krehër me fishekë kallashnikovi, dy telefona dhe një targë motoçiklete.

Pas veprimeve të para procedurale u bë shpallja në kërkim e shtetasit G. S. 50 vjeç, për veprën penale të “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal.

Grupi Hetimor ka fiksuar prova të vlefshme në këtë banesë, që do t’i shërbejnë hetimit edhe për ngjarje të ndodhura më parë. Vijon operacioni dhe krehja e zonës për kapjen e autorëve.

Paraditen e sotme, në fshatin Luarëz të Velipojës, persona të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri në ajër, duke kaluar në rrugën kryesore.