Kosova Operacioni në veri të Kosovës, Rusia reagon ashpër. BE: Ishte i ligjshëm

Operacioni në veri të Kosovës, Rusia reagon ashpër. BE: Ishte i ligjshëm

Bashkimi Evropian bëri thirrje për përmbajtje maksimale pas zhvillimeve në Veri të Kosovës.

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Koçijançiç, konfirmon se zyrtarët evropian janë në kontakt me krerët e institucioneve të Prishtinës dhe të Beogradit dhe kanë apeluar për përmbajtje maksimale.

Në një deklaratë ajo theksoi se aksioni policor i zhvilluar në Mitrovicë dhe zona të tjera dhe lokacionet tjera të Kosovës, është në përputhje me urdhrat e gjykatës dhe duhet të zbatohet në përputhje me ligjin.

“Operacionet policore duhet të sjellin besim në sundimin e ligjit te të gjitha komunitetet. Operacionet e tilla duhet të forcojnë e jo të dobësojnë përpjekjet për normalizim”, tha ndër të tjera Koçijançiç.

Lidhur me operacionin reagoi edhe ambasadori rus në Serbi Alexander Çepurin, i cili kërkoi lirimin e menjëhershëm të shtetasve rusë. “Jemi të revoltuar nga provokimet e autoriteteve të Prishtinës në raport me qytetarin rus, që është pjesë e UNMIK-ut. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të rusëve dhe mbajtje të përgjegjësisë të të gjithë atyre që janë fajtor”, tha ambasadori rus.

Ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj ka dalë në konferencë për aksionin e policisë dhe arrestimin e disa personave – përfshirë zyrtarë të Policisë, Doganës dhe qytetarë.

“Ju siguroj që operacioni nuk është vetëm i sotëm, por ndodhë tash e dy ditë. Është në shkallë vendi. Është krejtësisht zbatim i ligjit. Prokurori ka dhënë urdhër për arrestimin e tyre në bazë të provave dhe bastisjeve në lokacione të ndryshme. Policia ka zbatuar obligimin ligjor. Provat dhe dëshmitë i kanë dhënë qytetarët serbë”, ka thënë Haradinaj.

“Nuk ka logjikë që të pengohet zbatimi i ligjit. Serbia dhe Kosova aspirojnë të hyjnë në BE dhe nuk mund të hyhet në BE duke mbrojtur krimin”, është shprehur Haradinaj kur është pyetur për deklaratën e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç se ka gati ushtrinë për ndërhyrje në Kosovë.

“S’ka nevojë për kësoj retorike nga Serbia dhe nga askush”.

Kurse për arrestimin e dy zyrtarëve rusë të UNMIK-ut ai është shprehur: “Nëse njëri nga këta rrezikon sigurinë e vendit ne zbatojmë ligjin në bazë të konventave ndërkombëtare. Agjenda e Rusisë dihet, është ajo e destabilizimit dhe ne jemi të vëmendshëm për agjendat e Rusisë dhe të tjerëve”.