Politika Opinioni i Venecias për Gjykatën Kushtetuese, Meta: Kauza e 2 Marsit fitoi

Opinioni i Venecias për Gjykatën Kushtetuese, Meta: Kauza e 2 Marsit fitoi

Presidenti Ilir Meta reagoi me një status në Facebook pasi Komisioni i Venecias publikoi draft-opinionin final për emërimet në Gjykatën Kushtetuese.

Kauza e 2 Marsit fitoi! Kushtetuta e para”, shkroi në rrjetin social Kreu i Shtetit.

Sipas paragrafit 98 të raportit, Presidenti Ilir Meta nuk ka kryer shkelje në emërimet për Gjykatën Kushtetuese: “Presidenti, përmes Aktit të tij të 5 nëntorit 2019, pezulloi në mënyrë të njëanshme procedurën e emërimit para skadimit të afatit 30 ditor të përcaktuar në ligj. Ndërsa një pezullim i tillë nuk parashikohet në mënyrë eksplicite nga Ligji për Gjykatën Kushtetuese, ai mund të jetë në përputhje me një mekanizëm zhbllokues që ka për qëllim zhbllokimin e një situate kur ka mosveprim ose vullnet dashakeq nga njëri prej aktorëve të përfshirë. Nëse nuk ka as vullnet dashakeq dhe as mosveprim, por përkundrazi duhet të plotësohet një boshllëk ligjor, ratio legis i mekanizmit zhbllokues nuk do të ishte i zbatueshëm. Si pasojë, do të duhet të ekzistojë mundësia për të ndërprerë funksionimin – përndryshe automatik – të mekanizmit zhbllokues. Ndaj, në bazë të një interpretimi teleologjik të dispozitave ligjore, është e justifikueshme të pranohet emërimi i mëvonshëm i një kandidati të dytë nga Presidenti. Prandaj duket e arsyeshme që Presidenti refuzoi të pranonte betimin e gjyqtares që pretendon se u emërua automatikisht”.