Politika Opinioni përfundimtar i “Venecias”, Balla: Meta anuloi zgjedhjet në mungesë të bazës...

Opinioni përfundimtar i “Venecias”, Balla: Meta anuloi zgjedhjet në mungesë të bazës ligjore

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, zhvilloi një konferencë për mediat këtë të mërkurë ku komentoi raportin përfundimtar të Komisionit të Venecias. Ai shprehu vlerësimet për organizatën.

Balla u shpreh se akuzat për njëanshmëri nga ana e opozitës ndaj Komisionit nuk e prekin reputacionin e lartë të tij. Deputeti socialist rikujtoi dhe njëherë pyetjet drejtuar Komisionit dhe më pas tha se Presidenti nuk ka të drejtë të anulojë dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve se një kompetencë nuk ia njeh as kushtetuta dhe as ligji.

“Ky ka qenë dhe thelbi i referimit në seancën plenare nga përfaqësuesi i Komisionit të Venecias. Presidenti anuloi zgjedhjet në mungesë të bazës ligjore dhe kushtetuese”, tha Balla.

Balla ndalet edhe te kufizimi që ka bërë Presidenti për sa i përket të drejtës për të zgjedhur. Ndërsa për bojkotin e opozitës, balla tha se Venecia e bën të qartë që fajin nuk e pati qeveria.

“Opinioni i Komisionit të Venecias shërben si udhërrëfyes i rëndësishëm për forcimin e demokracisë dhe shtetit ligjor”, tha Balla.