Kryesore Opozita ndryshon strategji: Sot vetëm marshim

Opozita ndryshon strategji: Sot vetëm marshim

Partia Demokratike dhe aleatët e saj protestojnë sot pasdite në orë 18:30, duke u mbledhur përsëri përpara Kryeministrisë. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka postuar një video-mesazh për qytetarët për të protestuar, ku motoja kryesore e thirrjes se “asgjë nuk i ndal shqiptarët dhe opozita nuk do të ndërmarrë asnjë hap pas”.

“Asgjë nuk i ndal shqiptarët që luftojnë për liri, për standardet europiane. Shpresa është ndezur! Pushteti i krimit nuk e fik dot më, sot jemi më të fortë se kurrë. Asnjë hap pas kundër krimit kundër dhunës për Shqipërinë si gjithë Europa”, shkruhet në spotin e publikuar, duke i drejtuar në këtë mënyrë një mesazh qytetarëve të jenë të pranishëm.

Mësohet se protesta e sotme do të jetë në formë marshimi. Sipas burimeve, qytetarët janë ftuar në këtë marshim proteste për “mbrojtjen e demokracisë dhe shkëputjes së politikës nga krimi, si garanci për zgjedhje të lira e të ndershme dhe qeverisje të përgjegjshme që punon për mirëqenien e qytetarëve”. Ky është ndryshim strategjie nga ana e PD-së, pasi në protestat e tjera kombëtare përqendrimi ka qenë përpara Kryeministrisë dhe më pas është zhvendosur përpara godinës së Kuvendit, ku zhvillohen seanca parlamentare.

Mësohet se Policia e Shtetit ndryshe nga herët e tjera do të angazhojë 1700 forca të punonjësve të saj në terren për mbarëvajtjen e protestës. Plani i masave nga forcat e rendit duket se është i njëjtë. Përveç forcave të policisë godina e Kryeministrisë, nga ana tjetër është e rrethuar me gardh metalik, një masë e shtuar e policisë për të shuar çdo skenar të mundshëm që mund të kenë protestuesit. Gjithashtu efektivët e policisë do të jenë të pajisur me maska kundragaz.

Protesta e së shtunës u karakterizua nga dhuna ndaj institucioneve, ku ndryshe nga herët e tjera bombat e shisheve molotov iu drejtuan jo vetëm selisë së Qeverisë, por edhe Kryesisë së Kuvendit. Protesta më pas iu drejtua sallës së Kuvendit ku zhvillohen seancat. Në këtë protestë që zgjati mbi 7 orë, u arrestua dhe u godit nga policia sekretari Organizativ i PD-së, Sait Dollapi. Arrestimi i tij solli zhvendosjen e protestës përpara drejtorisë së Policisë.