Opinione Opozita s’e ka legjitimitetin që t’i japë leksione morali popullit

Opozita s’e ka legjitimitetin që t’i japë leksione morali popullit

Nga Blendi Kajsiu

Pasi akuzoi qeverinë socialiste për “masakër elektorale”, tashmë opozita ka filluar të drejtojë gishtin akuzues nga populli që, sipas saj, u shit te socialistët duke votuar gabim.

Ky është nënteksti i “skandalit” të parave të tërmetit që ka zbuluar opozita. Sipas opozitës, PS-ja u dha 40 milionë euro pagesa qytetarëve të prekur nga tërmeti para zgjedhjeve dhe këta në shkëmbim të parave shitën votën.

Implikimi është se qytetarët u vetëshitën, sepse mund të merrnin paratë dhe të mos votonin PS-së, pasi pushteti nuk kish si t’i monitoronte pasi u dha paratë. Ata treguan mungesën e tyre të dinjitetit duke u blerë nga pushteti pa asnjë lloj presioni.

Por akuza ndaj popullit nuk është gjithmonë indirekte. Shumë eksponentë të opozitës qahen publikisht se populli ynë është shumë i varfër, injorant dhe pa dinjitet, ndaj shitet lehtë, nuk kupton programet dhe epërsitë e opozitës dhe voton për socialistët e korruptuar.

Ndaj shumë nga këta intelektualë opozitarë propagandojnë “orientimin”, “edukimin” dhe “ngritjen morale” të popullit që ai të votojë në mënyrë korrekte. Kjo nuk është një tendencë thjesht e PDsë. Diçka e ngjashme ndodhi edhe me PS-në pas humbjes në zgjedhjet e 2009.

Për ta, humbja, përveç manipulimit të dokumentuar nga pushteti, ishte edhe pasojë e injorancës dhe e prapambetjes së popullit shqiptar që nuk kuptonte idetë moderne të Edi Ramës apo të G99. Është një ligjërim elitist që nga njëra anë e identifikon popullin me injorancën dhe prapambetjen dhe nga ana tjetër e sheh elitën si forcë ndriçuese.

Burimi i këtij ligjërimi fillon te rilindja kombëtare, që në thelb ishte përpjekja e një elite të edukuar të modernizonte dhe të krijonte ndërgjegje kombëtare te një populli me nivele shumë të ulëta edukimi. Më pas, ky ligjërim u forcua shumë gjatë komunizmit nëpërmjet konceptit të partisë avantgarde, zhvilluar nga Lenini.

Ky është një konceptim tërësisht elitist, ku një grup i vogël që njeh ligjet e historisë të zbuluara nga Marksi, udhëheq dhe edukon masat që në shumicën e tyre janë injorante ose të mashtruara dhe të kapura nga regjimi kapitalist. Kjo ishte logjika bazë e Partisë së Punës te ne.

Me rënien e komunizmit, ligjërimi elitist riprodhohet, por këtë herë elitat nuk do krijojnë as shqiptarin (si rilindësit), as njeriun e ri (si komunistët), por qytetarin europian.

Kështu që nga politikanët deri tek analistët dhe intelektualët, elitat marrin përsipër europianizimin e një populli “oriental” që, siç e ka analizuar me themel Enis Sulstarova, është injorant dhe me deficenca të thella morale.

Në rastin konkret, akuza elitiste që PD po ndërton kundër popullit shqiptar bazohet në dy premisa të gabuara. Së pari, akuza supozon se elita opozitare ka dinjitetin dhe legjitimitetin moral për t’i dhënë leksione në këtë fushë popullit shqiptar.

Së dyti, sipas kësaj logjike votuesit e PD-së janë superiorë si në dinjitet, nivele zhvillimi dhe në moral krahasuar me votuesit e PS-së. Supozimi i parë është krejtësisht i gabuar, pasi edhe nëse pranojmë për një moment që qytetarët e varfër shqiptarë e shitën votën në masë në shkëmbim të parave, përse ky akt është më i pamoralshëm se vjedhja publike e Metës apo mbrojtja që Berisha i bëri kësaj vjedhje jo vetëm duke kërcënuar gjyqësorin, por edhe duke vrarë protestuesit, apo se aleanca e Bashës me Kryemadhin dhe Dukën, që dje ishte i krimit?

Ndaj është e vështirë të argumentosh se elita opozitare ka legjitimitetin moral apo dinjitetin politik që t’i japë leksione morali popullit shqiptar. Është hipokrizi e madhe t’i thuash qytetarit të thjeshtë mos e shit votën se humbet dinjitetin dhe dëmton demokracinë, kur ti apo familja jote je pasuruar me pushtetin dhe ke bërë aleanca me ata që i ke quajtur hajdutë për ta mbajtur atë.

Së fundmi, supozimi që ata që votojnë për PS-në janë më të shitur se ata që votojnë për PD-në nuk ka asnjë bazë empirike. PS-ja fitoret më të thella i ka në qendrat më të zhvilluara urbane, si Tirana. Ndërkohë, PD-ja fitore më të thella ka në zona urbane më të varfra si Shkodra apo Lezha.

Kjo nuk do të thotë se votuesit e Shkodrës apo të Lezhës kanë më pak dinjitet apo shiten më lehtë se ata të Tiranës apo Durrësit. Ama, as e kundërta nuk mund të jetë e vërtetë. Të argumentosh se populli duhet edukuar dhe ngritur moralisht pikërisht në qendrat më të zhvilluara urbane nuk ka sens. Sidomos kur edukimin moral ofron si shembull Berishën, Metën apo Mediun./Panorama