Kryesore “Ora e Tokës”, 180 vende zhyten në errësirë për 60 minuta

“Ora e Tokës”, 180 vende zhyten në errësirë për 60 minuta

Disa nga monumentet më të famshme të botës janë zhytur në errësirë, për të tërhequr vëmendjen ndaj ndryshimeve klimatike. Fushata globale e “orës së Tokës” synon të rrisë ndërgjegjësimin për pasojat e ndryshimeve të klimës, e ka nisur si nismë në Australi në vitin 2007, ndërsa tani, pjesë e saj janë më shumë se 180 vende.

Zyrat e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, piramidat e Egjiptit, Krishti shpëtimtar në Rio de Janeiro, janë mes monumenteve kryesore botërore të zhytura në errësirë për një orë të tërë.

Ky është edicioni i 13 i “orës së Tokës”, në të cilin miliona njerëz në 180 vende të botës fikën dritat në orën 8:30 për të tërhequr vëmendjen te përdorimi i energjisë dhe nevoja për kursim.

Qielli i Singaporit u errësua po ashtu, e Hong Kongu la në terr gjirin “Victoria”. Në Europë, Porta e Brandenburgut në Gjermani dhe Bazilika e Shën Pjetrit në Vatikan u zhytën në errësirë.

Të njëjtën gjë bënë edhe shtëpia e Operas në Sidnei, kulla “Eiffel” dhe “Harku i Triumfit” në Paris, “Burj Khalifa” në Dubai, qiellgërvishtësja më e lartë në botë, “Akropolis” në Athinë, kulla “Shangai” dhe ndërtesa e Kremlinit në Moskë.